RajoniTop Lajme

Osmani në Samitin për Demokraci: Kosova është duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit

Shpërndaje

Presidentja Vjosa Osmani ka përmendur arritjet e Kosovës dhe progresin që ëshë bërë për vitin e kaluar në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Ajo, në paraqitjen e saj virtuale në Samitin e Dytë të Demokracisë në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se Kosova është duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit.

“Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën. Së bashku me miqtë tanë nga Republika Dominikane ne kemi bashkudhëhequr kohortën e Sundimit të Ligjit në kuadër të Samitit për Demokraci. Përveç kësaj, sipas Freedom House, Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin antikorrupsion të Transparency International”, ka thënë Osmani.

“Që nga takimi ynë i fundit, ne kemi punuar pa u ndalur për ta avancuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themel për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U zotuam për krijimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe ia arritëm. Ky Këshill ka siguruar mbikëqyrjen e zotimeve dhe angazhimeve tona nga institucionet më të larta në vend dhe në çdo shtresë të qeverisjes, dhe puna e këtij Këshilli do të vazhdojë edhe përtej edicionit të dytë të Samitit”.

Pos kësaj, Osmani ka folur edhe për rezultatet e Kosovës mbi strategjinë kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse.

“Një demokraci e fortë është një demokraci që vepron edhe për gratë. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm, por përderisa gratë vazhdojnë të përballen me mizogjininë në vendet e punës, dhunën në shtëpi, heshtjen me forcë në klasë ose keqtrajtim gjatë ecjes në rrugë – kjo betejë është larg përfundimit”.

“Gjatë këtij “viti të veprimit”, Kosova ka udhëhequr diskutimet globale për avancimin e të drejtave të grave duke qenë nikoqir i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me mbi 500 pjesëmarrës me ndikim në këtë fushë nga 6 kontinente, dhe në tetor të këtij viti do t’ju mirëpresim të gjithëve në edicionin e dytë në kryeqytetin tonë, në Prishtinë”, ka thënë Osmani.

Ndër tjera, Osmani ka thënë: “Përkushtimi ynë për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, është ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive. Përkushtimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm. Përkushtimi ynë për të punuar me partnerë në mbarë botën për ta mbrojtur dhe ushqyer atë, është po ashtu i pathyeshëm”.