MaqedoniTop Lajme

Për shkak temperaturave të larta, mbaroi sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit

Shpërndaje

Temperaturat e larta në Maqedoninë e Veriut kanë pamundësuar vazhdimin e sezonit të skijimit në hapësirat e Kodrës së Diellit, vendim i cili vjen nga Qendra e Skijimit “Kodra e Diellit”.

“Informojmë të gjithë dashamirët e skijimit se për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të pafavorshme për skijim, zyrtarisht e mbyllim sezonin dimëror në Ski-Qendrën tonë”, bëjnë të ditur nga Qendra e Skijimit “Kodra e Diellit”.

Kjo Qendër ka falënderuar qytetarët, kompanitë, artistët dhe bashkëpunëtorët për kontributin e tyre gjatë këtij sezoni.

Ndryshe, pas më shumë se një muaj vonesë si rezultat i mungesës së reshjeve të mjaftueshme të borës, me 22 janar u hap zyrtarisht sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit.

Këtë vit, ka edhe ndryshime për sa i përket çmimeve të biletave të skijimit gjatë vikendit, edhe atë për 20% më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa gjatë javës çmimet e biletave të skijimit janë njëjtë si vitin e kaluar. Nga kjo qendër thonë se përkundër kësaj, përsëri çmimet janë më të lirat në rajon.

Për shkak të motit të ngrohtë sezoni i skijimit vonoi me javë të tëra ndërsa qendrat turistike në vendin tonë në humbje. Për sa i takon Kodrës së Diellit, drejtori i kësaj qendre më 18 janar në një intervistë për Portalb.mk sqaroi se humbjet e deritanishme në këtë qendër dimërore-rekreative për shkak të pamundësisë së fillimit të sezonit të skijimit janë rreth 500 mijë euro.

Kujtojmë që investitorët nga Italia të interesuar për Kodrën e Diellit nga kompania “TechnoAlpin” në muajin dhjetor kanë prezantuar planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Procesi është në fazën e hershme përgatitore dhe kontrata nuk është nënshkruar ende, marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë muajit janar. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Përndryshe, kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.