Ahmeti për gjykimin në Hagë: Pres që ky proces të përfundojë ashtu siç e presin të gjithë shqiptarët
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se pamjet nga Haga e kthejnë pas në kohë, duke kujtuar se kështu mblidheshin dikur kudo në Evropë për të protestuar për shkeljet që u bëheshin popullit shqiptar.
“Pres që ky proces të përfundojë ashtu siç e presin të gjithë shqiptarët”, ka thënë Ahmeti për gjykimin e sotëm në Hagë.
“Koha dëshmoi që ne që demonstronim para gjithë këtyre kancelarive, gjithë këto peticione, u vërtetua që shqiptarët po diskriminoheshin”, ka thënë Ahmeti në Speciale – Gjykimi i Madh në RTV Dukagjini.
“Ishte ushtruar dhunë sistematike që pas vendosjes së regjimit komunist policor që nga viti 1945, dhe u jemi mirënjohës e falënderues Evropës e Amerikës që vlerësuan më në fund se shqiptarët kishin të drejtë, dhe e ledhatuara e quajtur Jugosllavi, përfundoi në greminë”, ka thënë tutje ai.
Ahmeti tha se për të është e pakuptim që pas 23 vjetësh të ngrihet aktakuzë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Të ngrihet një aktakuzë e tillë dhe të merren për bazë njerëz edhe pa adresë, do të thoja është e pakuptim. Nuk e di se si ky trup i prokurorëve dhe i gjykatësve mund të bazohen dhe të nxjerrin një epilog që të dënohen ata që nuk duhet dënuar”, ka shtuar tutje kryetari i BDI-së në edicionin special të RTV Dukagjini.
Për fund, Ahmeti ka theksuar se UÇK-ja është një e vërtetë e madhe dhe të gjitha njësitet e saj kanë pasur qëllimin e njëjtë që të mbrohet dinjiteti i vendit.