MaqedoniTop Lajme

Çmimet ‘tavan’ të produkteve bujqësore: Domatja 70 denarë, qepa 60, grosha 75…

Shpërndaje

Në seancën e sotme qeveria ka marrë vendim për ngrirjen e çmimeve të disa perimeve dhe frutave, ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Siç tha ai, ngrirja e çmimeve do të jetë në fuqi deri në fund të muajit prill.

Njoftimi nga Ministri Bekteshi:
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme ka miratuar Vendimin që përcakton çmimin më të lartë të pemëve dhe perimeve.

Ky Vendim përfshin 11 produkte, konkretisht domate të freskëta, tranguj të freskët, qepë, lulelakër, speca, fasule, thjerrëza, banane, portokall, mandarina, limon.

Domatet e freskëta gjatë kësaj periudhe nuk mund të shiten më shumë se 70 denarë, trangujt 75 denarë, qepa 60, lulelakra 70, specat 90 denarë, fasulet nuk do të jenë më të larta se 75 denarë, ndërsa thjerrëzat 110 denarë. Sa i përket pemëve, bananet do të duhet të jenë deri në 70 denarë, mandarina 60, ndërsa çmimi më i lartë i portokallit dhe limonit do të jetë 55 denarë.

Vendimi është marrë sipas analizave të bëra në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Drejtorisë së Doganave, në të cilat është vërejtur se ka pasur marzhe të mëdha që kanë arritur deri në 250 për qind gjatë muajit mars.

Vendimi i Qeverisë do të fillojë të zbatohet nga 5 prilli dhe do të zgjasë deri në fund të muajit.