Rajoni

Gjykata Speciale: Ish kreu i UÇK-së, Salih Mustafa i detyrohet 207 mijë euro viktimave

Shpërndaje

Gjykata Speciale në Hagë mori këtë të enjte (6 prill) vendimin, që Salih Mustafa të dëmshpërblejë viktimat e vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe të torturuarit me 207 mijë euro.

Më 16 dhjetor 2022, Mustafa u dënua me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale, si i akuzuar për këto vepra, që sipas gjykatës, janë kryer në vitin 1999, kur në Kosovë po zhvillohej luftë në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit (ZOLL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 6 prill 2023, Gjykata konstatoi se janë tetë viktima, të cilave do t’u takojë dëmshpërblimi. Tre prej tyre konsiderohen viktima të drejtpërdrejta, ndërsa 5 të tjerë janë familjarë të një personi të vdekur në prill të vitit 1999 , vdekja e të cilit, sipas gjykatës, “mund t’u atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të ish-komandatit Mustafa.

Sipas Gjykatës, është konstatuar se Mustafa nuk i zotëron mjetet për ta bërë këtë pagesë dhe kryerjen e saj Specialja ia kërkoi shtetit të Kosovës.