Kurti në Tetovë / UT me akademi përkujtimore për ish-studentin dëshmor Alban Ajeti
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në nderim të jetës së dëshmorit, Alban Ajeti në përvjetorin e 24- të të rënies së tij, organizuar në amfiteatrin kryesor të Universitetit të Tetovës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti lartësoi figurën e luftëtarit të UÇK-së, Alban Ajeti i cili la studimet në Tetovë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë në luftimet kundër forcave serbe në Zhegoc të Epërm të Gjilanit, ku edhe ra dëshmor.
‘’Itineraret e rrugëve që kanë ndjekur dëshmorët, ndërtojnë hartën e lirisë së kombit, në të cilën çdo vend dhe çdo udhë, duhet regjistruar dhe shënjuar me përpikëri! Janë pikërisht këto shenja, ato që na kërkojnë që për të kujtuar një dëshmor nga Gjilani, të vijmë prej Prishtinës këtu në Tetovë’’’, tha kryeministri.
Nën nofkën “Pëllumbi”, Alban Ajeti kishte luftuar i veshur me uniformën e UÇK-së si luftëtar i Brigadës 171 “Kadri Zeka”, në Zonën Operative të Karadakut, bashkë me Pajazit Ahmetin, Sali Mustafën, Fadil Rashitin, Skender Veselin, Raif Musliun dhe shumë ushtarë të tjerë të së njëjtit betim e të së njëjtës uniformë.
Sipas kryeministrit Kurti ka shumë mënyra për të ndjekur rrugët e bëra nga heronjtë dhe dëshmorët: nga të mësuarit për idealet e tyre, e deri te pasimi i atyre idealeve. ‘’Në rastin e dëshmorit Alban Ajeti ne mund të orientohemi në veprën dhe jetën e tij përmes fjalëve të vetë Albanit, ashtu siç ai i ka artikuluar dhe radhitur në poezitë e tij, të cilat ai i shihte mjaftueshëm të rëndësishme sa për t’i ruajtur deri në fshehtësi’’, theksoi ai.
Ndër të tjera, kryeministri tha se vërtet që jetët e dëshmorëve janë prerë nëpër beteja, por zgjatimet e tyre shtrihen nga e kaluara e kohës së luftës drejt të tashmeve tona, në pafund forma, sikur sot këtu në Tetovë, që jemi mbledhur ta kujtojmë veprën e Alban Ajetit, studentit të Universitetit të Tetovës, poetit kronist nga Gjilani dhe “Pëllumbit” dëshmor të UÇK-së.
Lavdi veprës së vetë-shkruar dhe të jetuar të Alban Ajetit si dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.
Lajmi i plotë: Kryeministri Kurti merr pjesë në Akademinë Përkujtimore në nderim të jetës së dëshmorit, Alban Ajeti
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Rektor i Universitetit të Tetovës, profesor Kushtrim Ahmeti,
I nderuar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi,
I nderuar Kryetar i BDI-së, z. Ali Ahmeti,
I nderuar Komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
I nderuar Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti, vëlla i dëshmorit Alban Ajeti,
I nderuar baci Sheqir dhe ju familjarë të tjerë,
I nderuari Drejtor Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha,
I nderuar Kryetar i Senatit të Universitetit të Tetovës, z. Vullnet Ameti,
I nderuari zëvendësministër i Mbrojtjes së Kosovës, z. Shemsi Syla,
Të nderuar kryetarë të Komunave të Tetovës e të Gjilanit, z. Bilall Kasumi dhe z. Alban Hyseni,
I nderuari Myfti Qani Efendi Nesimi,
I nderuari ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut z. Florent Qehaja,
I nderuar kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, z. Fazli Veliu,
Të nderuar prorektorë, dekanë, dhe profesorë e studentë të Universitetit të Tetovës,
Të nderuar veteranë të luftës, invalidë e familje të dëshmorëve,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe Vëllezër,
Itineraret e rrugëve që kanë ndjekur dëshmorët, e ndërtojnë hartën e lirisë së kombit, në të cilën çdo vend dhe çdo udhë, duhet regjistruar dhe shënjuar me përpikëri! Janë pikërisht këto shenja, ato që na kërkojnë që për të kujtuar një dëshmor nga Gjilani, të vijmë prej Prishtinës këtu në Tetovë. Nëpër rrugët e lirisë, shpesh herë, dëshmorët janë njëkohësisht edhe shtrues rrugësh edhe udhëpërshkrues! Është detyrë e jona pastaj, që shtigjet e hapura nga dëshmorët e lirisë, t’i mbajmë gjithmonë të hapura, për çka është e nevojshme që ato shtigje të shkelen dhe vendet ku shpien ato të vizitohen kohë pas kohe e sa më shpesh.
Ka shumë mënyra për të ndjekur rrugët e bëra nga heronjtë dhe dëshmorët: nga të mësuarit për idealet e tyre, e deri te pasimi i atyre idealeve. Në rastin e dëshmorit Alban Ajeti ne mund të orientohemi në veprën dhe jetën e tij përmes fjalëve të vetë Albanit, ashtu siç ai i ka artikuluar dhe radhitur në poezitë e tij, të cilat ai i shihte mjaftueshëm të rëndësishme sa për t’i ruajtur deri në fshehtësi.
Ashtu siç tre muaj pas çlirimit të Kosovës, u zbulua një poezi e fshehur nga Albani për nënën e tij, në vargun e parë të së cilës, Albani i kërkonte nënës Fazlije të mos e qante pse kishte vdekur. Ka më shumë se 40 poezi të tij të shpëtuara, përmes të cilave, mund të kuptohet bota e mendimeve dhe ndjesive të autorit të tyre, Alban Ajetit, veçanërisht gjatë kohës së luftës. Kështu, sikur sot, më 14 prill të vitit 1998, në ora 10:45, Albani ka shkruar një poezi për Adem Jasharin, sigurisht, pa e ditur që data kur ai e shkroi këtë poezi, një vit më pas do të bëhej sepse do të binte edhe vetë ai dëshmor.
Ndërkohë që Albani kishte shkruar poezi për Adem Jasharin edhe një muaj më herët, më 10 mars të vitit 1998, tre ditë pas rënies së Ademit, siç kishte shkruar poezi edhe për Hamëz Jasharin një ditë pas, më 11 mars. Me sa duket, ai kishte krijuar një shprehi prej poeti kronist, që e përcjellte hap pas hapi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke shkruar poezi për dëshmorët e saj, ende pa e ditur se edhe vetë do t’u bashkohej atyre.
Kjo bëhet e qartë kur përcjellim datat poshtë poezive të Albanit, siç është rasti i poezisë “Simbolet e lirisë”, e shkruar nga Albani në mbrëmjen e 18 shkurtit 1997, sa kohë që ishte këtu në Tetovë si student. Kjo poezi u kushtohet Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës dhe ishte shkruar vetëm 18 ditë pas rënies së tyre, më 31 janar 1997.
Po e citoj:
“Nuk u dorëzuan djemtë e shqipes,
se janë mësuar të lirë,
të fluturojnë mbi qiellin e atdheut…
Jo, nuk do të vdisni kurrë, ju simbolet e lirisë”
Kështu shkruante Albani në poezinë e tij për Zahirin, Hakifin dhe Edmondin, në vitin 1997 këtu në Tetovë, duke thurur vargje edhe në vetën e dytë shumës, me ‘ju’, në të cilat ai u drejtohet tre dëshmorëve pra, me fjalët: “Jo, nuk do të vdisni kurrë, ju simbolet e lirisë”.
Derisa u kthye nga Tetova në Gjilan dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Alban Ajeti vazhdoi të shkruante poezi për Gjilanin, për Kosovën, për luftën dhe vdekjen për atdhe, për Bekim Berishën dhe për Adrian Krasniqin, si dhe për pranverën e lirisë, që ai vetëm sa ia njohu ditët e para. Kjo meqë më 15 prill 1999, Alban Ajeti u vra në luftime me forcat serbe në Zhegoc të Epërm, duke rënë dëshmor për liri. Me nofkën “Pëllumbi”, Alban Ajeti kishte luftuar i veshur me uniformën e UÇK-së si luftëtar i Brigadës 171 “Kadri Zeka”, në Zonën Operative të Karadakut, bashkë me Pajazit Ahmetin, Sali Mustafën, Fadil Rashitin, Skender Veselin, Raif Musliun dhe shumë ushtarë të tjerë të të njëjtit betim e të së njëjtës uniformë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës iu bëri ballë forcave okupatore serbe që po zbatonin planin shfarosës gjenocidal anë e mbanë Kosovës duke vrarë e masakruar dhe duke përdoru si armë lufte edhe përdhunimet seksuale. Data e sotme përkon edhe me ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, andaj edhe unë ditën e sotme në Prishtinë e fillova me homazhe e nderime për të gjitha viktimat e të mbijetuarat e këtij krimi të luftës.
Vërtetë, jetët e dëshmorëve janë prerë nëpër beteja, por zgjatimet e tyre shtrihen nga e kaluara e kohës së luftës drejt të tashmeve tona, në pafund forma, sikur sot këtu në Tetovë, që jemi mbledhur ta kujtojmë veprën e Alban Ajetit, studentit të Universitetit të Tetovës, poetit kronist nga Gjilani dhe “Pëllumbit” dëshmor të UÇK-së. Njëmend, Albani nuk arriti t’i përmbyllte studimet për farmaci dhe nuk arriti të merrte diplomë nga Universiteti i Tetovës, sepse koha ia kërkoi që statusin e studentit ta këmbente me atë të luftëtarit të lirisë. Por, pikërisht duke luftuar për lirinë e Kosovës, ai e mori diplomën e dëshmorit të kombit, diplomë që asnjë universitet në botë nuk mundet ta lëshojë, e të cilën Albani e mori nën emblemën e UÇK-së. Është pikërisht kjo diferencë, ajo që e bën historinë dhe ajo që na ka mbledhur bashkë sot këtu, për të kujtuar Albanin dhe shokët e tij në armë.
Natyrisht që nuk është rastësi që edhe tek ky universitet i juaji e i yni ku erdhi Albani, është nisur e ngritur me shumë sakrifica e gjak dëshmorësh. E shpejt do të mbushe dhe tri dekada nga themelimi i këtij Universiteti me profesorin e mirënjohur Fadil Sylejmani, si rektor i parë i tij.
Lavdi veprës së vetë-shkruar dhe të jetuar të Alban Ajetit si dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.
Ju faleminderit!