Osmani: Nuk ka asnjë autonomi për komunat serbe, nuk e lejoj të shkelet Kushtetuta
Presidentja, Vjosa Osmani tha se nuk ka rrezik për autonomi për komunat me shumicë serbe me anë të marrëveshjes së arritur në Ohër ku parashihet edhe themelimi i asociacionit. Presidentja Osmani tha se edhe nëse do të kishte tendenca të tilla një gjë të tillë nuk do ta lejonte.
“Nuk ka asnjë autonomi. Çka do që do të dilte jashtë Kushtetutës së Kosovës do të duhej të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, pra në fund do të ju takoj atyre deputetëve të vendosin për diçka të tillë. Por, si presidente e republikës në asnjë moment nuk do të lejoja që të shkohet përtej kushtetutës, apo edhe përtej vendimeve të gjykatës kushtetuese që kanë përcaktuar parametrat edhe sa i përket të drejtave të serbëve dhe organizimit të tyre në republikën e Kosovës. Natyrisht që delegacioni i Kosovës po punon që të përcaktohen edhe detajet sa i përket nenit 7 por të gjitha këto të prira nga parimet që tashmë janë vendosur. Pari i parë është Kushtetuta e Kosovës, pra nuk mund të shkohet përtej saj, sikur të ishte autonomi do të shkohet përtej kushtetutës së Kosovës gjë që assesi nuk e lejojmë. Parimi i dytë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 dhe parimet e tjera të përcaktuara nga Kuvendi edhe në legjislaturat paraprake që kanë të bëjnë me ruajtën e integritetit dhe sovranitetin e vendit, pastaj funksionalitetin e brendshëm që njihet si parimi i unitaritetit, dhe po ashtu më duhet ta përmend pozicionin amerikan i cili është i vendosur edhe me shkrim, i cili ndër të tjera është edhe parim shtesë udhërrëfyes në hapat përpara. Ka garanca shteti ynë që të mos të lejohet që të mos tejkalohet kushtetuta dhe të gjitha këto garanca ne do t’i shfrytëzojmë për ta mbrojtur interesin e shtetit”., deklaroi Osmani,
Presidentja, Vjosa Osmani i është përgjigjur pretendimeve se ajo mund të rrëzohet nga posti i saj nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese nga një ankesë e parashtruar në lidhje me legjitimitetin e mandatit të një deputeti të Kuvendit të Kosovës. Presidentja Osmani i tha RTV21 se nuk ka asnjë rast në Gjykatë që ka të bëjë me pozicionin e saj dhe kërkoi që të mos i bëhet presion Gjykatës Kushtetuese.
“Unë dëshirat nuk mund të ia ndaloj askujt, mirëpo në të njëjtën kohë jam plotësisht e vetëdijshme se në Gjykatën Kushtetuese nuk ka asnjë rast që ka të bëjë me pozicionin e presidentes sepse sikur të kishte Gjykata do të më njoftonte ashtu siç i njofton të gjitha palët sipas detyrës zyrtare. Nuk ka rast në Gjykatë për pozitën e presidentes. Dëshirë dikush mund të ketë, por me rendësi është që të mos i bëhet presion Gjykatës në kryerjen e detyrave të veta. Unë besoj se në vendimmarrje janë të prirur nga interpretimi i drejtë i kushtetutës, integriteti dhe profesionalizmi”., deklaroi ajo.
Presidentja, Vjosa Osmani, duke komentuar edhe përplasjet e fundit Kosovë-Serbi për çështjen e të pagjeturve dhe termin që është vendosur në marrëveshjen e Ohrit, i tha RTV21 se në dokument që i është dorëzuar nga Bashkimi Evropian thuhet: ‘’persona të zhdukur me dhunë’’ dhe ashtu siç pretendon Serbia.
‘’Dokumenti që ne e kemi parë dhe që është dorëzuar nga Bashkimit Evropian i referohet të zhukurve me dhunë, ky është edhe term që përdoret në konventat ndërkombëtare. E dyta, në duhet të jemi të vetëdijshëm se jo gjithçka është sqaruar në takimin e 27 shkurti dhe në takimin e 18 marsit në Ohër, rrjedhimisht edhe ka nevojë për takime shtesë në të cilat edhe do të determinohet sekuencimi i zbatimit të kësaj marrëveshje. Çka është me rendësi është se të gjitha nenet kanë rendësi të barabartë ashtu siç e thotë edhe vet aneksi dhe mund të intepretohen në mënyrë të pavarur. Ajo që ne insistojmë vazhdimisht është që pavarësisht veprimeve të Serbisë sepse si presidente nuk kam pritje se do ta respektojnë fjalën e dhënë sepse nuk kanë respektuar asnjëherë me apo pa nënshkrim. Mirëpo çka pres është se zotimet e aleatëve tanë që do ta përkrahin Kosovën në rrugën euroatlantike të realizohen dhe kemi besim të plotë në këtë’’./21Media