Rama: Askush nuk e kishte besuar që Kurti do të ulej me Vuçiqin, ndoshta përveç meje
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë duke përjashtuar veten, se ndoshta askush nuk e kishte besuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të ulej në një tavolinë bisedimesh me presidentin serb, Vuçiq.
Në një intervistë për KDP, Rama ka thënë se ideja e të kthyerit kurrizin në situata të tilla, nuk është funksionale kur je në qeverisje.
“Mirë, mirë, dakord. Tani do t’i përmendin të gjitha, por problemi është që thelbi është i përmirësuar ndjeshëm. Kush e mendonte deri dje që Albini do të ulej me presidentin e Serbisë? Askush! Ndoshta, përveç meje! Dhe, unë e kam menduar që kjo do të ndodhte. Se si dhe kur do të ndodhte, sepse s’ke ku shkon. Domethënë, këto idetë ekstravagante me kthim kurrizi në një botë që është gjithnjë më shumë e lidhur në mes të Evropës dhe me aleatët dhe me partnerët që ne kemi, ne dhe Kosova, nuk janë funksionale. Janë funksionale në opozitë, po nuk funksionojnë kurrë kur ti je duke qeverisur”, ka deklaruar Rama kur u pyet për “vijat e kuqe” të përmendura nga Kurti e Vuçiq.
Kur ka folur për Asociacionin, Rama ka thënë se formimi i Asociacionit është një element kyç për të arritur marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tani, Asociacioni është një marrëveshje e nënshkruar dhe ka një rëndësi të veçantë për faktin se është maksimumi që Kosova mund të bëjë në adresim të Serbisë, edhe pse bëhet fjalë për komunitetin serb në Kosovë. Pra, kur mendon që ky është maksimumi që Kosova duhet të bëjë, atëherë është minimumi që Kosova duhet të bëjë. Në sensin që deri dje, Serbia, jo Serbia, po e gjithë bota, as nuk e çonte dot nëpër mend që Kosova mund të ishte e pavarur. Sot, Kosova është e pavarur dhe Serbia që po dorëzohet përballë një realiteti që nuk e ndryshon dot. Pavarësisht që këmbëngul që të mos ndodhë, edhe vetë Serbia, gjë që unë e kam dëgjuar edhe nga goja e presidentit të Serbisë në një konferencë shtypi që dha mbas asaj dite të gjatë të marrëveshjes, do të ndodhë, edhe unë nëse s’e firmos, keni parasysh që kjo do të ndodhë! “, ka deklaruar Rama, gjersa ka theksuar se “sigurisht që Asociacioni është një çelës shumë i rëndësishëm për ta kyçur marrëveshjen”.