Sportistët shqiptarë me grada ushtarake, bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Autoritetet shqiptare kanë nderuar me grada honorifike ushtarake sportistët elitarë të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët tashmë do të jenë edhe pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, raporton Anadolu.
Ceremonia e gradimit ushtarak të sportistëve shqiptarë u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeparlamentares Lindita Nikolla, ministrave dhe përfaqësuesve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Sportistët e disiplinave të ndryshme Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, të shpallur kampionë olimpikë, botërorë dhe europianë, u nderuan sot gjatë ceremonisë me gradën e lartë ushtarake “Kolonel”, duke u bërë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në fjalën e tij në ceremoni, kryeministri Rama tha se sot është një ditë historike për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura shqiptare njëkohësisht, sepse sot pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë bëhen një grup sportistësh dhe sportistesh që sipas tij flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë në skenën e sportit botëror apo europian.
“Është po ashtu një ditë krejt e veçantë sepse në këtë grup bëjnë pjesë edhe 3 kampione shqiptare nga Kosova, të cilat nga sot e tutje do të jenë bashkë me kampionet dhe kampionët shqiptarë nga Shqipëria, nën të njëjtin flamur, për të njëjtin mision, e të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara në funksion jo më vetëm të sportit por edhe të Forcave të Armatosura”, tha Rama.
Rama theksoi se përfshirja e këtyre kampionëve dhe gradimi i tyre sot me gradën më të lartë si “Kolonel” dhe “Kolonele” të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe i pjesës tjetër, me grada të tjera, sipas arritjeve të tyre në sport, “përbën pa asnjë diskutim një vlerë të shtuar, një vlerë të shtuar morale, një vlerë të shtuar profesionale”.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, theksoi se sot Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë i bashkohet elita kombëtare e sportit shqiptar. “Filloi si një angazhim i kryeministrit vitin e kaluar, u kthye në një ligj dhe sot ky ligj po zbatohet, duke dhënë gradën e lartë ‘kolonel’ shtatë sportistëve tanë elitarë”, tha Peleshi.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Shqipërisë, Evis Kushi, tha se sot kanë një kuadër ligjor të përmirësuar, të përafruar me Bashkimin Evropian dhe sipas saj ka një vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që i shpërblen me dinjitet sportistët elitarë, ashtu sikurse edhe trajnerët e tyre.
“Falë ligjit të ri të Ministrisë së Mbrojtjes sportistët tanë elitarë, kampionët tanë, jo vetëm që janë pjesë të FA, por do të kenë edhe grada honorifike. Dhe falë këmbënguljes së kryeministrit, këto grada do t’i ketë edhe përtej angazhimit të tyre aktiv si sportistë elitarë”, tha Kushi.