MaqedoniTop Lajme

Zyrtarët, deri 1000 euro rritje pagash nga maji

Shpërndaje

Ditës së punëtorit, 1 Majit, më së shumti do ti gëzohen ata që punojnë më pak, funksionarët e shtetit. Kjo pasi që në ditët e para të majit do të marrin paga më të larta për rreth 70 mijë denarë, duke nisur nga Kryetari i shtetit, Kuvendit dhe Qeverisë dhe diçka më pak ministrat, deputetët, gjykatësit, guvernatori e zyrtarë të tjerë të zgjedhur dhe emëruar.

Pagat për muajin prill të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të nënkryetarëve të Kuvendit do të rriten për rreth 60 mijë denarë, ndërsa të ministrave dhe deputetëve për rreth 56 mijë denarë. Funksionarët shpërblehen me paga më të larta për 78% ose rreth 1000 euro, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 mars shfuqizoi ngrirjen e një neni në Ligjin e Pagave ku llogaritet koeficienti në varësi të pozicionit, por që paga bazë merret ajo e vitit të kaluar të të njëjtëve funksione të shtetit. Vet Presidenti Pendarovski publikoi përllogaritjen e pagës së tij, ku e kishte 92 mijë tani e ka 165 mijë den, apo nga 1500 euro në mbi 2500.

Sipas një përllogaritjeje që ka bërë Evropa e Lirë, me koeficientin 4.5 të shumëzuar nga paga bruto e vitit kaluar që e kishin 47 mijë denarë Presidenti Pendarovski, Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski pas dy dite do të marrin rritje të pagave nga 50 euro më shumë për çdo ditë punë. Kryeministri Kovaçevski do të marrë pagë prej 156.482 denarë, ndërsa reku i Kuvendit Xhaferi, 166.207 denarë. Ministri Brendshëm, Oliver Spasovski do të ketë pagë prej 153.037 denarë pothuajse e njëjtë me atë të kryeministrit, duke i shtuar 20% shtesë për kryerjen e detyrës. Çdo funksion pasues ka koeficient pak më të ulët, por pagat e reja do ti marrin secili mbi 2,000 deri në 2,500 euro si renditje Zëvendëskryeministrat Grkovska, Bytyqi, Grubi, Mariçiq dhe Ministrja e Mbrojtjes Petrovska, ose 35-40 euro më shumë për çdo ditë pune.

Pas pagave të zyrtarëve më të lartë, sipas ligjit, me paga pasojnë kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe nënkryetarët e Kuvendit, të cilët kanë koeficientin 4 dhe tani do të marrin pagë rreth 140 mijë denarë, nga 80 mijë të mëparshmet, duke supozuar se kanë 30 vjet përvojë. Deputetët, ministrat, guvernatori i Bankës Popullore, gjyqtarët kushtetues, kryetari i komunës së Shkupit, avokati i shtetit, avokati i popullit dhe sekretarët e Qeverisë dhe Kuvendit kanë koeficientin e llogaritjes së pagave 3.7 që dmth paga e tyre do të rritet nga rreth 70 mijë në rreth 126 mijë denarë, duke supozuar se kanë 20 vite përvojë pune. Nga ana tjetër, paga mesatare neto në Maqedoni tani arrin në rreth 34 mijë denarë, ndërsa nga ky muaj paga minimale është ngritur në 20.185 denarë. Një punëtor me pagë minimale do të duhej të punonte tetë muaj për të fituar atë që do të fitonte një kryeministër apo president për një muaj. Një rrogëtar me pagë mesatare do t’i duheshin gati pesë muaj për të fituar pagën e Kryeministrit ose Presidentit. Këto ditë edhe Banka Botërore paralajmëroi Qeverinë se në kushtet e krizës ekonomike nuk është e drejtë që të rriten pagat e zyrtarëve.

“Kjo nuk është mënyra e duhur që të ketë rrije të pagave të funksionarëve të shtetit në kohë krize. Rreth 1000 zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar, si dhe rreth 1000 gjyqtarë dhe prokurorë do të marrin paga më të larta mesatarisht rreth 1000 euro, që do të thotë se nga buxheti që paguajnë qytetarët, të paktën dy milionë euro në muaj do të shkojë në pagat e zyrtarëve dhe sa më shumë të vonohet ligji i ri i pagave, aq më shumë do të rrjedhin miliona nga buxheti për të ardhurat e tyre mujore”, thonë nga Banka Botërore.

Gjykata Kushtetuese deklaroi se ata nuk kanë vendosur për shumën e pagave, por iu është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave të veçanta të Ligjit të Punës. Gati dy muaj pasi qeveria njoftoi se do të marrë masa për uljen e pagave të funksionarëve, të cilat pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese u rritën në 78%, autoriteti ende nuk ka përgatitur amendamentet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Pagave. /Alsat.mk