RajoniTop Lajme

Edi Rama bën parashikimin për zgjedhjet e 14 majit në Tiranë, ja sa është diferenca e fitores së Veliajt

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama mbyll sot fushatën elektorale në kryeqytet, ku kërkoi votën për kandidatin Erion Veliaj në zgjedhjet e 14 majit.

Ai bëri një parashikim përpara zgjedhjeve të 14 majit, ku tha se Veliaj do të fitojë drejtimin e Bashkisë së Tiranës me diferencën më të thellë në të gjitha mandatet.

Gjatë takimit me mbështetësit drejtuesi i Partisë Socialiste deklaroi se Tirana ndryshe nga vitet e kaluara është kthyer në një vend turistik, me shumë vizitorë nga jashtë.

“Është e rëndësishme ta kuptojmë se ndërveprimi qeverisë me Bashkinë e Tiranës nuk është çështje ndërveprimi, por ndërveprim mes forcash dhe nivelesh që janë të bashkuara nga i njëjti vizion. Të kthehet në mirëqenie, të kthehet në rritje të punësimit. Ju kujtohet kur filluam programin e rilindjes urbane, thonin këto janë shpenzime për fasada e propagandë. Por investimi në bukuri publike dhe investimi në kushtet që qyteti të jetë i zhvilluar nuk është propagandë, është vetëm ekonomi.

Tirana që kur e nisëm këtë përpjekje ishte vendi që vinin njerëzit për vizita nga jashtë, por ama Tirana nuk ka qenë asnjëherë një destiancion turistik, nuk ka qenë vendi ku nëpër faqet e intervistave të agjencive të specializuara ta gjejë Tiranën si një vend turistik. Sot Tirana është fuqia tërheqëse e turistëve. Numri i hoteleve në Tiranë që janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen është mbresëlënës. Që do të thotë një ekonomi më e mirë. Ka një element të rëndësishëm që kush bën ato kritikat në hava nuk do ta shikojë.

Ne na duhet ta kthejmë Shqipërinë në një vend turistik. Tirana është qendra e gravitetit të këtij zhvillimi. Tirana nuk është ajo që kam drejtuar unë është shumë më e madhe. Nuk është qyteti i ndërtuar nga komunat në vijën e vjetër të tij. Të jeni të bindur që rritja ekonomike në katër vitet e ardhshme do të jetë shumë më e madhe sa është. Si banor periferish ju them që ky kryeqytetet sot nuk është më ai që ishte, një qytet në fillim komplet i varrosur në paligjshmëri dhe pluhurin e një rrëmuje të paparë që u quajt kapitalizmi demokratik. Nuk është as kryeqyteti që doli nga ajo situatë dhe doli përpara.

Ky është kryeqyteti i krenarisë kombëtare. Dua të ju them banorëve të Tiranës që do të votojnë më 14 maj, që sot është e rëndësishme të kenë parasysh që nuk është vetëm një votë për të vendosur kryebashkiakun , por vota e 14 majit është e rëndësishme për të vendosur edhe si do të jetë e nesërmja e vendit tonë në raport me vetveten dhe aleatet. Për mënyrën se si kanë ardhur gjërat vota e 14 majit është më shumë një test karakteri për zgjedhësit e djathtë se sa një test fitoreje për zgjedhësit e majtë. PS-ja testin e fitores, jemi të bindur që e kapërcejmë pa ndihmën e të tjerëve dhe në 14 maj lali Eri do të bëhet kryetari ynë i bashkisë përsëri me diferencën më të thellë të tre mandateve të tij”, tha Edi Rama.