MaqedoniTop Lajme

Komuna e Haraçinës do të jetë e mbyllur! Ibrahimi: Unë dhe punonjësit e komunës jemi të kërcënuar me jetë

Shpërndaje

Kreu i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi ka bërë të ditur se për shkaqe sigurie, komuna nuk do të punojë, përcjell TV21. Ibrahimi tha se vazhdimisht kanë marrë kërcënime me jetë për shkak të projektit të komunës që disa toka bujqësore, pronë e shtetit, të shfrytëzohen nga komuna për ndërtimin e një zone industriale dhe ndërtimin e një stadiumi për klubin e futbollit “Shkëndija”.

“Këta prona për momentin janë të uzurpuara nga ana e personave që shkaktuan incidentin. Në momentin që tashmë jemi në fazën përfundimtare të këtyre procedurave, me Ministrinë e Bujqësisë, ata sërish marrin guximin dhe na kërcënojnë për jetët tona”, tha mes tjerash Ibrahimi.

Më poshtë i keni njoftimet:
N J O F T I M
Të nderuar qytetarë të Komunës së Haraçinës.
Ju njoftojmë se për shkaqe sigurie, Administrata Komunale nuk do të punojë nga data 25.05.2023 (e enjte) deri në një vendim të ri për të cilin do të informoheni me kohë.
Ju kërkojmë ndjesë që nuk do të mund të kryejmë shërbimet dhe obligimet ligjore ndaj qytetarëve, por një masë e këtillë ka të bëjë kryesisht me sigurinë e punonjësve të administratës komunale por edhe qytetarëve të cilët i drejtohen Komunës për të marrë shërbime.
Ashtu siç më mund të jeni të informuar edhe nga mjetet e informimit, është hera e dytë që cenohet siguria e punonjësve të administratës komunale dhe Kryetarit të Komunës, prandaj një vendim i këtillë edhe përkundër vullnetit dhe dëshirës tonë ishte i pashmangshëm.
Me respekt
Shërbimi për informim i Komunës së Haraçinës

Njoftim
Sot,më datë 25.05.2023 Këshilli Komunal i Komunës Haraçinë i kryesuar nga z Sejdi Nebiu ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me ç’rast është diskutuar situata e sigurisë së administratës komunale dhe Kryetarit të Komunës si dhe vendimi për mbylljen e Komunës në një afat të pacaktuar.
Kryetari i Komunës Ridvan Ibraimi i ka njoftuar Këshilltarët për situatën e krijuar pas incidentit të datës 23.05.2023 dhe vendimit për të ndaluar punën e administratës si masë e përkohshme për mbrojtjen e të punësuarve nga ekspozimi ndaj ndonjë rreziku të mundshëm.
Vlen të theksohet se të gjitha grupet e këshilltarëve nga të gjitha partitë politike fillimisht kanë dënuar rastin në fjalë dhe kanë shprehur mbështetjen e pa rezervë të tyre ndaj Kryetarit dhe Komunës si Institucion.
Pas shumë diskutimeve, Këshilli Komunal ka miratuar dhe një konkluzë si në vijim:
KONKLUZË
Këshilli Komunal i Komunës Haraçinë duke u nisur nga ndodhitë e fundit por edhe të mëparshme, kërkon:
– Organet e rendit,të sigurisë dhe prokuroria që urgjentisht të ndërmarrin të gjitha veprimet konform ligjeve me qëllim të sigurimit të kushteve për funksionimin normal dhe të pa ndërprerë të Administratës Komunale.
-ju bën thirrje qytetarëve që të mbështesin përfaqsuesit e tyre legjitim në këshillin Komunal në drejtim të normalizimit të situatës së sigurisë me qëllim që sa më shpejtë të kthehet normaliteti i funksionimit të institucionit Komunë.
Këshilli Komunal me këtë rast ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar duke apeluar tek qytetarët për durim dhe vigjilencë deri në zgjidhjen e situatës së krijuar,duke pasur parasysh angazhimin maksimal të Kryetarit,Këshillit Komunal, Administratës por edhe organeve qendrore të Shtetit.