RajoniTop Lajme

Kosovë, në Zveçan sot qetë, KFOR-i siguron objektin e komunës

Shpërndaje

Foto: Erkin Keçi/AA
Në Zveçan, komunë në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, sot është qetë ndërsa ushtarët e KFOR-it sigurojnë qasje në ndërtesën e komunës, raporton Anadolu.

Një kordon i ushtarëve të KFOR-it me pajisje të plota bllokuan qasjen në ndërtesën e komunës dhe u ngrit një gardh metalik. Nuk ka protesta ndërsa qytetarët, kryesisht gra, qëndrojnë anash në grupe të vogla.

Po ashtu shihet se si po pastrohen rrugët pas trazirave të djeshme në të cilat u plagosën 30 ushtarë ndërkombëtarë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dje janë arrestuar 5 protestues.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se dje protestuesit, individë/grupe kriminale me dhunën e tyre ekstreme kanë sjellë përshkallëzimin dhe degradimin e situatës së sigurisë në veri të vendit, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përfshirë edhe jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.

“Protestat në tri komunat në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale. Situata aktualisht konsiderohet e brishtë, por e qetë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës, në përputhje me detyrat e saj zyrtare, vazhdon me obligimet e saj për sigurimin dhe zhvillimin e qetë të protestave si dhe bashkëpunimin/koordinimin e aktiviteteve me KFOR-in dhe institucionet përkatëse. Në të njëjtën kohë, njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme.

Nga Policia edhe sot u bëhet thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në thirrje për protesta të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre.