Kovaçevski: Pres mbështetjen e deputetëve për pakon e ligjeve për Korridoret 8 dhe 10D
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski pret mbështetjen e deputetëve për miratimin e ndryshimeve të pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d.
Kovaçevski gjatë ceremonisë së lëshimit në përdorim të magjistrales Kumanovë – Stracinë, tha se, marrëveshje me konzorciumin amerikano – turk “Bechtel dhe Enka” i është dorëzuar Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, si dhe të punësuarve në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, të cilët janë të kyçur në këtë projekt.
Po ashtu, ka shtuar ai, është dërguar edhe letër në Kuvend për prezantimin e Marrëveshjes në komisionin adekuat, me kërkesë të deputetëve të opozitës me certifikatë të sigurisë.
“Korridori 8 e lidh Tetovën me kufirin e Shqipërisë, ndërsa Korridori 10d – Prilepin dhe Manastirin, ku qytetarëve u është premtuar autostradë që nuk është bërë asnjëherë. Tani në pesë vitet e ardhshme do të ndërtohet”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Ndërkohë në seancë plenare në Kuvend ka vazhduar debati për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për përcaktim të interesit publik dhe nominim të partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtim të korridorit infrastrukturor 8 dhe 10 d, me procedurë të shkurtuar.