Kryeministri Kovaçevski për vizitë pune në Nju Jork dhe Uashington
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ndodhet për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në delegacionin e kryesuar nga Kryeministri Kovaçevski janë edhe Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministrja e ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë dhe Bujar Osmani, ministër i punëve të jashtme.
Në kuadër të vizitës së punës që fillon më 3 maj 2023 (e mërkurë), me ftesë të kryesuesit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Zvicër, Kryeministri Kovaçevski është paraparë të mbajë fjalim në seancën e hapur të Këshillit të Sigurimit, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, në kuadër të programit për shënimin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kryeministri Kovaçevski do të takohet me përfaqësues të lartë të UNICEF-it dhe UNDP-së dhe do të mbajë fjalim në pritjen në OKB-së të organizuar me rastin e 30-të vjetorit nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në kuadër të programit për shënimin e 30-vjetorit, Kryeministri Kovaçevski do të merr pjesë në panelin kushtuar diplomacisë parandaluese, ndërmjetësimit dhe politikës së miqësisë në selinë e OKB-së. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kovaçevski do të merr pjesë dhe do të mbajë fjalim në manifestimin e organizuar me rastin e festës së gjuhës maqedonase.
Në Uashington, Kryeministri Kovaçevski do të takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, përfaqësuesin Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Gabriel Eskobar, zëvendëskëshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Xhonatan Fajner, këshilltar i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Derek Sholle, dhe me disa senatorë dhe kongresmenë të SHBA-ve. Kryeministri Kovaçevski do të ketë takim edhe me anëtarët e bordit të Këshillit Atlantik (Atlantic Council).
Në kuadër të vizitës së punës në Uashington, Kryeministri Kovaçevski do të vizitojë Universitetin prestigjioz “Xhons Hopkins” në Uashington, ku pas takimit me dekanin Xhejms Stajnberg, Kryeministri Kovaçevski do të mbajë një ligjëratë për sfidat dhe mundësitë e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rrugën e tyre europiane, duke pasur parasysh nevojën për zhvillim të shpejtë të rajonit.
Sipas agjendës, është paraparë edhe takim i Kryeministrit Kovaçevski me përfaqësues të diasporës maqedonase në SHBA.