Kurti bën homazhe të varri i nënës që ia vuri flakën vetes pasi ia kthyen trupat e djemve të vrarë nga Serbia
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri dhe vendi i vetëflijimit të nënës Pashke Krasniqi – Markaj.
Kurti, bashkë me familjarët e saj përkujtuan nënë Pashke, e cila më 27 maj 2003, i vuri flakën vetës pasi ia kthyen trupat e djemve, Gjovalinit dhe Milanit, të vrarë dhe të zhdukur me forcë nga Serbia.
Postimi i plotë:
Nëna Pashke, përmendore nga zjarri e dhembjes së nënës
Mes jetës dhe vdekjes, zgjodhi zjarrin. Për shpirtin e djegur nga dhimbja për të bijtë, i vuri flakën trupit. Zjarrin e shpirtit e shoi me zjarr. Pasi djemtë ia ktheu tokës së Gjakovës, iu bashkua atyre.
Më 27 prill 1999, forcat e Serbisë ia rrëmbyen, vranë dhe zhdukën me forcë dy djemtë. Gjovalini dhe Milani nga Korenica e Gjakovës, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Më 24 maj 2003 u bë rivarrimi i tyre. Tri ditë më vonë, nëna Pashke dogji veten me benzinë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhembjes për të bijtë.
Në 20 vjetorin e vetëflijimit, kujtojmë Nënën Pashke Krasniqi Markaj. Qëndresa dhe sakrifica e saj mbesin të paharruara. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të harrohen e as falen.