RajoniTop Lajme

Kurti kryen homazhe në Korishë: U vranë me të vetmen arsye se ishin shqiptarë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, këtë të shtune vizitoi fshatin Korishë të Prizrenit, ku nderoi viktimat civile të rëna nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999. Ata u vranë nga shteti serb “me të vetmen arsye se ishin shqiptarë”, tha Kurti.

“Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kryeministri.

Në këtë vizitë ai qe i shoqëruar me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës.

“Kur sheh pllakën përkujtimore me emrat e të vrarëve në Korishë, vëren që të paktën 14 prej tyre kanë qenë fëmijë, pra ishin nën moshën 18 vjeçare atëherë kur u vranë. Mosha e tyre është dëshmia më e pakontestueshme e pafajësisë së gjithë këtij grupi aq të madh të njerëzve, që Serbia i vrau vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi procesin e filluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për memorializimin e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo që kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, në krye të grupit punues të së cilit, është nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, vetë e mbijetuar si fëmijë nga masakra e Podujevës”, tha ai, siç e citoi Zyra e Kryeministrit.