Tetovë: 15 muaj burg për anesteziologun “Tik-Toker”!
Anesteziologu Valton Dervishi nga Spitali i Tetovës, sot u ul në bankën e të akuzuarve për akuzën që Prokuroria Themelore Publike – Tetovë e ngriti për shkak të xhirimit të pacientëve dhe videon e kishte publikuar në rrjetin social Tik-Tok, njofton KlanM.
Dervishi pranoi fajin duke thënë se është penduar për veprën, kurse Gjykata e Tetovës, të njëjtën ditë shpalli aktgjykimin – një vit e tre muaj burgim.
Derisa aktvendimi të bëhet i plotfuqishëm, sic percjell KlanM, Dervishi do të mbetet në paraburgim shtëpiak.
Anesteziologu ndiqej për veprat “punë e pandërgjegjshme në shërbim” dhe “xhirim i paautorizuar”.
“Në procedurën e zbatuar ishin grumbulluar dëshmi që mbështesin dyshimin e bazuar se i akuzuari, si person zyrtar – anesteziolog i punësuar në Spitalin Klinik në Tetovë, më 14 Prill në mënyrë të paautorizuar ka xhiruar pacientë dhe personel mjekësor dhe e ka publikuar Live në rrjetin social, me çka ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme në autorizimet dhe detyrat e tij dhe ka cënuar të drejtat e tyre” – thonë nga PTHP
Skandali me xhirimin e anesteziologut në Tik-Tok që ndodhi më 14 Prill, shkaktoi një sërë reagimesh në vend.
Ai, sic njofton KlanM, menjëherë ishte shkarkuar nga puna, kurse Gjykata e Nderit pranë Odës së Mjekëve ia mori licensën e punës për shtatë vite. /KlanMacedonia/