Mbyllet viti shkollor me mungesë të librave/ Shaqiri premton se kjo nuk do të përsëritet vitin e ardhshëm
Shkollat në Tetovë po e përfundojnë vitin shkollor me mungese të mbi 23 mijë teksteve shkollore. Sipas të dhënave që ka marrë komuna pritet që edhe vitin e ardhshëm të ketë mungesë të njëjtë.
“Në bazë të të dhënave që i kam marr nga shkollat me plotësimin e formularëve, besoj se do të vazhdojë e i njëjti ritëm. Besoj se do ketë mungesë prej 23 mijë në bazë të numrit tim dhe jo 15 mijë në bazë të tyre. Ne si komunë do të vazhdojmë betejën me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Përsëri do mbajmë mbledhje dhe do iniciojmë peticione që të mos të kemi mungesa të njëjta.”- deklaroi Valedin Ademi – sektori për arsim.
Por ministri Jeton Shaqiri thotë se në Tetovë janë dërguar mbi 80 % të teksteve shkollore dhe se për vitin e ardhshëm janë zgjedhur operatoret, dhe librat do të arrijnë nga 1 deri më 10 shtator.
“Vitin paraprak me kërkesë që e kemi pranuar nga komuna e Tetovës dhe mund të them lirisht se janë me të dhëna faktike janë dorëzuar 80 % të librave, 20% të librave që nuk janë dorëzuar janë për shkak të mjeteve buxhetore dhe lënda që nuk ka libra të aprovuar. Të gjitha librat pas zgjedhjes së operatorit do të arrijnë me 1 shtator.”- pohoi Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit.
Shkollat në Maqedoni vitin e kaluar e filluan vitin me mungesë të librave shkollor për shkak të vonesës në procedurat e tenderimit për botimin e tyre. Vetëm në Tetovë, munguan mbi 23 mijë tekste shkollore në tre gjuhë: shqipe, maqedonase dhe turke.