NATO u kërkon aleatëve të rrisin buxhetet për ushtritë e tyre
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, thanë më 7 qershor se financimi i aleancës ushtarake do të jetë një nga temat kryesore të samitit të ardhshëm në Vilnius, së bashku me zgjerimin e aleancës dhe garancitë për siguri.
Smith dhe Stoltenberg, që morën pjesë në një konferencë virtuale të sponsorizuar nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane, thanë se anëtarët do ta diskutojnë pragun për shpenzimin e të paktën 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të vendeve anëtare të NATO-s në mbrojtje, shkruan REL.
Smith u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë të bëjë presion për t’u siguruar që anëtarët të shpenzojnë të paktën 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të tyre në mbrojtje, siç është rënë dakord në Premtimin e Investimeve të Mbrojtjes (DIP) të vitit 2014, i cili kërkon që vendet ta përmbushin pragun prej 2 për qind deri në vitin 2024.
Përveç kësaj, Smith tha se 2 përqindëshi “është një prag, jo një tavan” dhe se planet e ardhshme të NATO-s mund të kërkojnë rritje të mëtejshme të këtij pragu.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës “po planifikojnë të sjellin një DIP 2.0” në samit, tha Smith, duke shtyrë aleatët e NATO-s ta përmbushin dhe kapërcejnë pragun prej 2 për qind brenda viteve të ardhshme.
Udhëheqësit e 31 vendeve të NATO-s, të cilët do të mblidhen më 11 dhe 12 korrik në kryeqytetin lituanez, pritet të zhvillojnë gjithashtu biseda kritike për të ardhmen e NATO-s, lidhur me një zgjerim të mundshëm.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili i ka bërë presion NATO-s për ta lejuar anëtarësimin e vendit të tij, pritet të marrë pjesë në samit. Ai tha në fillim të kësaj jave se Ukraina është “gati për t’u anëtarësuar” dhe se aleanca duhet ta marrë një vendim për anëtarësimin e Ukrainës në këtë samit.
Lidhur me zgjerimin e mundshëm të NATO-s, Smith dhe Stoltenberg e bënë të qartë se ekziston një gamë e gjerë modelesh potenciale për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Ukrainë, por se zgjidhja ka të ngjarë të jetë një kompromis midis opinioneve të ndryshme të aleatëve të NATO-s.