RajoniTop Lajme

Nesër BE diskuton për situatën Kosovë-Serbi, Rama takim me Charles Michel në Bruksel

Shpërndaje

Takim me Charles Michel për zhvillimet në veri

Pas dërgimit të letrës të Presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Edi Rama vijon përpjekjet për të arritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Të hënën do të udhëtojë drejt Brukselit, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, Charles Michel, ku çështja kryesore e diskutimit do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nevoja për të ulur në një tryeze Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin.

Por në të njëjtën ditë, Kosova dhe Serbia do të jenë kryefjalë edhe për shkak të takimit të ministrave të Jashtëm që do të mbahet në Luksemburg. Përfaqësuesi i lartë i BE, Joseph Borrel do të raportojë për situatën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe rrugën që do të ndiqet në ditët në vijim.

Në 27 Qershor, Charles Michel do të zhvillojë videokonferencë me krerët e shteteve të familjes europiane, ku do të trajtohen tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Në tekstin e draftit të konkluzioneve i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së më 29-30 Qershor, Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit Shkurt si dhe aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin Mars.