BotaTop Lajme

PROFILI: Pasardhësi i Erdoganit, dhëndri që projektoi dronet Bayraktar

Shpërndaje

Kur Selçuk Bayraktar testoi për herë të parë dronët vrasës: Bayraktar TB2, në 2014, ai nuk e kishte menduar kurrë se, tetë vite më vonë, mbiemri i tij do ti ishte dhënë, një kafshëze të porsalindur në kopshtin zoologjik të Kievit, apo se do të frymëzonte një këngë himn të ushtrisë ukrainase. Ky është çmimi i suksesit!

Vitrina e lavdisë të armatimit turk, ky inxhinier 43 vjeçar, shpesh i krahasuar me sipërmarrësin amerikan Elon Musk, sot ka aureolën e heroit kombëtar.

I martuar me Sümeyye (foto poshte), vajzën e vogël të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili sapo fitoi këtë të dielë, për të tretën herë një mandat të ri në krye të vendit, ai ëshë krahasuar gjithashtu me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Gjatë gjithë fushatës, reis-i nuk u ndal së mbështeteturi tek dhëndri, duke pozuar së bashku me të në festivalin e hapësirës ajrore Teknofest, që organizohet nga Bayraktar, duke lartësuar arritjet e këtij biznesi familjar, “Baykar Technologies”, produktet e të cilit i kanë blerë dhjetra vende. “Ai është një nga ata fëmijë të atdheut që ngjallin rreth vetes një formë adhurimi”, konfirmon Sümbül Kaya, studiues në institutin kërkimor strategjik të Shkollës Ushtarake (Irsem).

Ai i mundësoi Turqisë të modernizonte armatimin, pra mishëron një njeri avangardist, por nga ana tjetër, ai është dhe një besimtar i devotshëm. Ekziston një video në internet që tregon se kur ishte fëmijë ai pati shpikur një mjet që i mundësonte të mos humbte faljen e namazit».

Figurë që ngjall siguri, simboli i fitoreve në fushatat ushtarake turke, si jashtë vendit, po ashtu dhe brenda territorit kombëtar në betejën kundër luftëtarëve kurdë të PKK-së, ai ngërthen të gjitha temat e preferuara të vjehërit të vet.

Në Twitter, përdoruesit e internetit i referohen si pasardhësi natyral, duke parë tek ai “udhëheqësin e tyre të ardhshëm”, çka e bën trajektoren e tij ti ngjajë gjurmëve në të cilat eci i ati, Özdemir Bayraktar.

Themelues i një biznesi të madh familjar i ati fillimisht u fokusua në prodhimin e pjesëve të automobilave, duke qenë njëkohësisht edhe këshilltar në bashkinë e Stambollit, të drejtuar në atë kohë nga Erdogani. Ai e mbajti këtë post edhe pranë kryeministrit nacionalist islamik, Necmettin Erbakan, që qe njëkohësisht edhe mentor i Erdoganit.

Patriarku e mësoi djalin e tij të talentuar ta donte qiellin. Pilot amator, ai i futi në gjak Selçukut të vogël si dhe dy vëllezërve të tij pasionin për aviacioniin duke i marrë me vete në fluturime mbi malet turke. Por ai i edukoi edhe me vullnetin për të punuar fort dhe mirë. “Kemi punuar në fabrikë gjatë gjithë fëmijërisë sonë”, i ka rrëfyer vitin e kaluar sipërmarrësi i ri, revistës amerikane New Yorker.

Nëna e tij, me profesion ekonomiste dhe programuese, inkurajoi pasionin e tij për kompjuterët.
Kaq duhej që fëmija të kalonte orë të tëra duke ndërtuar modelë aeroplanësh të kontrolluara me radio, një prelud i shkëlqyer për studimet e mëvonshme. “E fshihja modelin tim nën shtrat dhe vazhdoja të punoja në mënyrë sekrete”, ka zakon të tregojë ai.

Pas një qëndrimi në Universitetin Teknik të Stambollit, ai vazhdoi studimet në Universitetin prestigjioz të Pensilvanisë, në Shtetet e Bashkuara. Selcuk Bayraktar u rekrutua në punë nga Instituti famshëm i Teknologjisë (MIT) në Masaçutes ku fitoi një bursë për të punuar në sistemet e helikopterëve pa pilot.

Sapo u kthye në atdheun e tij, në 2007, “fëmija i jashtëzakonshëm” iu bashkua biznesit familjar si drejtor teknologjive të reja. Ai më pas testoi dronin e tij të parë, Mini UAV, në malet me borë të Anadollit, që shërbente për të monitoruar rebelët e armatosur të PKK-së kurde. Mbi këto baza filloi projekti që do ta bënte atë një yll: Bayraktar TB2, një dron në gjendje të fluturojë për njëzet e shtatë orë, që transporton armatime të drejtuara me lazer dhe që kushton 5 milionë euro.

Eshtë kjo mrekulli e teknologjisë turke që i ka mundësuar të vjehërit lidhje të forta dhe favore gjeopolitike. Dronët janë përdorur deri më tani në Libi, në ndihmë të qeverisë së Tripolit, pastaj në veri të Sirisë, përballë forcave kurde, por gjithashtu dhe nga Azerbaxhani në konfliktin e Nagorni Kharabakut dhe nga Ukraina në betejën kundër Rusisë.

Me këtë mrekulli teknologjike janë pajisur dhe forcat e Nigerisë, Etiopisë, Katarit, Shqiperise, Marokut, Polonisë dhe të shumë vendeve të Azisë së jugut. Pikërisht për këtë sukses dhe efikasitetin që ka pasur ky mjet në terren, konceptuesi i dronit Bayraktar, është dekoruar në vitin 2021 nga presidenti azerbaxhanas Ilham Aliyev, dhe një vit më pas nga Volodymyr Zelensky.

“Si dhëndër i Erdoganit, Bayraktar duhet të ketë domosdoshmërisht akses në informacione të privilegjuara, në veçanti brenda institucioneve shtetërore dhe me siguri është i favorizuar krahasuar me kompanitë e tjera të armatimit në Turqi”, pohon studiuesi Sümbül Kaya. Me mbi 2000 punonjës të dislokuar në një kampus në veriperëndim të Stambollit, që i ngjan atij të Google dhe me 2.8 milionë ndjekës në Twitter, Selçuk Bayraktar synon ta përdorë popullaritetin e tij në formimin e të rinjve të një vendi që po përballet me një ikje shqetësuese të trurit.

Ai parashikon gjithashtu të realizojë një avion luftarak pa pilot, që e ka pagëzuar “mollë kuqe”, dhe një makinë fluturuese. Ashtu si manjatët amerikanë, ai gjithashtu ka një ëndërr, pushtimin e hapësirës, ​​vetëm se…

Të gjitha këto mund të ndërpriten nëse vjehërri i tij ka projekte të tjera për të. Pas fitores të së dielës Erdogan mund ti jap atij një portofol të madh ministror. “Une nuk jam i sigurt se politika i intereson-, raporton Sümbül Kaya-, por nëse vjehrri i tij ka vërtet nevojë për të, ai do t’i bindet”. “Ai është pjesë e rrethit të tij të besueshëm”, konfirmon Dorothée Schmid, nga instituti francez i marëdhënieve ndërkombëtare.

Por a ka Erdogani interes që në këtë moment të nxjerrë në plan të parë kapitalistët e mëdhenj, ndërsa fuqia blerëse ka rënë dhe korrupsioni është kthyer në qendër të vëmendjes?

Lideri i partisë AKP mund t’i ofronte gjithashtu dhëndërrit një kandidim për kryetar bashkie të Stambollit, në pranverën e vitit 2024. Ripushtimi i bashkive të humbura në 2019 si Ankaraja apo Stambolli janë prioritetet e tij. Për Erdoganin, i cili e filloi ngjitjen e tij politike me kryesimin e kryeqytetit ekonomik të vendit, gati tridhjetë vjet më parë, fitorja aty e një familjari të besuar do të ishte një revansh i plotë.

“Journal du dimanche” – Përgatiti: T Çela, Lapsi.al