Stanishiqi dhe Simatoviqi dënohen me nga 15 vjet burgim për krime lufte në Bosnje e Kroaci
Këshilli i Apelit i Mekanizmit Ndërkombëtar të Gjykatës Penale (IRMCT) sot solli vendimin përfundimtar me të cilin ish-shefi i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore (SDB) të MPB-së së Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, ish- komandanti i Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO) të SDB-së, janë dënuar me nga 15 vjet burg, raporton Anadolu.
Sipas vendimit të sotëm, i cili erdhi pas procesit të rigjykimit, janë anuluar dënimet e shkallës së parë prej 12 vjetësh, ndërsa Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan me nga 15 vjet burgim.
Sipas aktakuzës së Tribunalit të Hagës nga viti 2008, Stanishiq dhe Simatoviq u akuzuan për pjesëmarrje në aktivitete të përbashkëta kriminale, të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, qëllimi i të cilit ishte dëbimi i boshnjakëve dhe kroatëve nga pjesë të territoreve të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe Kroacia me qëllim të krijimit të një shteti etnikisht të pastër serb.
Në vendimin e tij përfundimtar, Kolegji i Apelit pranoi ankesën e Prokurorisë dhe erdhi në përfundimin se Stanishiq dhe Simatoviq ishin përgjegjës për pjesëmarrjen në aktivitete të përbashkëta kriminale qëllimi i së cilës ishte dëbimi i dhunshëm i popullsisë joserbe gjatë gjithë kohës së luftës në BeH.
Këshilli i Apelit i shpalli Stanishiqin dhe Simatoviqin fajtorë se kanë kryer dëbime, largim të detyruar, persekutim dhe vrasje.
Duke lexuar përmbledhjen e aktgjykimit, kryetarja e Këshillit, Graciela Gatti Santana tha se si në procedurën e ankesës prokuroria eliminoi çdo dyshim se SDB-ja ka paguar personat që drejtonin “Gardën Vullnetare Serbe”, ka paguar shuma të konsiderueshme parash dhe se Stanishiq dhe Simatoviq ishin përgjegjës për këto pagesa.
Dhoma e Apelit konstatoi se Dhoma Gjyqësore gaboi në vlerësimin e kontributeve të tjera të Stanishiqit dhe Simatoviqit në aktivitetet e përbashkëta kriminale. Kolegji i Apelit gjeti se ata kishin qëllim të përbashkët për kryerjen e aktiviteteve të përbashkëta kriminale. Rrjedhimisht, Kolegji i Apelit konstatoi se Stanishiq dhe Simatoviq ishin përgjegjës si anëtarë në aktivitete të përbashkëta kriminale për krimet e kryera nga forca të ndryshme serbe në vitin 1992 në BeH, në Bijeljina, Zvornik, Bosanski Shamac, Doboj dhe Sanski Most dhe për krimet e kryera në vitin 1995 në Tërnovo dhe Sanski Most.
Ata u shpallën përgjegjës edhe për vrasjen e kryer në Daljska Planina në Kroaci në qershor 1992. Kolegji i Apelit i rriti dënimet e shqiptuara Stanishiqit dhe Simatoviqit në 15 vjet burg.
Kolegji i Apelit i IRMCT-së i hodhi poshtë pretendimet nga ankesat e Simatoviqit dhe Stanishiqit.
Vendimi u dha nga paneli pesëanëtarësh i Mekanizmit të udhëhequr nga kryesuesja Graciela Gatti Santana dhe gjyqtarët Lee G. Muthoga, Aminatta Lois Runeni N’gum, Yusuf Aksar dhe Claudia Hoefer. Simatoviq shpalljen e aktgjykimit e ndoqi nga salla e gjyqit ndërsa Stanishiq e ndoqi përmes video-lidhjes nga njësia e paraburgimit në Hagë.
– Gjykimi i parë
Stanishiq dhe Simatoviq u arrestuan dhe u transferuan në Hagë në maj të vitit 2003. Gjyqi i bazuar në aktakuzën e Prokurorisë filloi në prill të vitit 2008 ku të pandehurit mohuan fajësinë e tyre.
Sipas aktakuzës, nga marsi i vitit 1992 dhe në vazhdimësi deri në vitin 1995, forcat serbe, veçanërisht njësitë speciale të SDB-së të Republikës së Serbisë, kanë kryer krime në qytete dhe fshatra në komunat Bijeljina, Bosanski Shamac, Doboj, Sanski Most dhe Zvornik, duke i sulmuar dhe marrë kontrollin mbi ta si dhe kreu krime në Tërnovo.
Aktgjykimi i shkallës së parë u shpall më 30 maj 2013, me të cilin Stanishiq dhe Simatoviq u liruan nga të gjitha akuzat.
– Rigjykimi
Duke pranuar ankesën e pjesshme të Prokurorisë, ky aktgjykim u anulua nga Dhoma e Apelit, e cila më 15 dhjetor 2015 konkludoi se në bazë të gabimeve të konstatuara në aktgjykim, janë plotësuar kushtet për rigjykim. Kolegji i Apelit urdhëroi që gjykimi të ripërtërihet për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi para IRMCT-së ka zgjatur nga viti 2017 deri në vitin 2021, kur u miratua aktgjykimi me të cilin ata u dënuan për krime në Bosanski Shamac.
Dhoma Gjyqësore arriti në përfundimin se Stanishiq dhe Simatoviq ishin përgjegjës për ndihmën dhe nxitjen e veprave penale të vrasjes, shkeljen e ligjeve dhe rregullave të luftës, krimeve kundër njerëzimit, krimet e dëbimit, largimit të detyruar dhe persekutimit si dhe krimeve kundër njerëzimit, të kryera nga Forcat serbe pas marrjes së Bosanski Shamac-it në prill 1992. Konkretisht, Dhoma Gjyqësore konstatoi se i akuzuari ka ofruar ndihmë praktike që ka pasur ndikim të rëndësishëm në kryerjen e krimeve, duke trajnuar dhe dërguar në terren anëtarë të njësisë speciale të Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Serbisë dhe serbët vendas nga Bosanski Shamaci që të marrin pjesë në pushtimin e komunës.
Kështu, Dhoma Gjyqësore i shpalli Stanishiqin dhe Simatoviqin fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës dhe i dënoi me nga 12 vite burg.
Në procedurën e shkallës së parë, Këshilli arriti në përfundimin se Stanishiq dhe Simatoviq ishin përgjegjës për ndihmën dhe nxitjen e krimeve të kryera nga forcat serbe pas marrjes së Bosanski Shamacit në prill 1992.
Stanishiq dhe Simatoviq u shpallën fajtorë për vrasje, dëbim, largim të detyruar dhe persekutim si dhe për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe rregullave të luftës.
– Procedura e ankesave
Apelimet kundër këtij vendimi janë paraqitur nga Prokuroria dhe mbrojtja në janar të këtij viti para Këshillit pesëanëtarësh të kryesuar nga Graciela Gatti Santana.
Prokuroria u fokusua në aktivitetet e përbashkëta kriminale dhe financimin e njësive. Ajo theksoi se Stanishiq dhe Simatoviq jo vetëm që e dinin se pjesëmarrësit e tjerë kishin qëllime kriminale, por edhe vetë e kishin shpërndarë atë.
Prokurorja Laurel Baig tha se në përcaktimin e përgjegjësisë është e rëndësishme nëse dikush ka kontribuar në zbatimin dhe avancimin e planit kriminal.
Avokati mbrojtës i Stanishiqit, Wayne Jordash tha se Prokuroria po tenton të keqpërdor konceptin e aktiviteteve të përbashkëta kriminale dhe se tezat për pagesat e njësive të caktuara bazohen në supozime dhe spekulime.
Mbrojtja e Simatoviqit deklaroi se listat e pagave janë dëshmi jo të besueshme për çfarëdo forme të financimit dhe se qëllimi i operacionit në Sanski Most dhe Krajina ishte mbrojtja e 200 mijë refugjatëve që u gjendën në atë zonë dhe ndalimi i ofensivës ushtarake.
Stanishiq dhe Simatoviq, të cilët janë nga 73-vjeç, iu bashkuan qëndrimeve të shprehura nga avokatët mbrojtës në seancë.
Vendimet kundër Stanishiqit dhe Simatoviqit ishin procedurat e fundit para Tribunalit të Hagës. Ata janë zyrtarët e parë shtetërorë të Serbisë që u dënuan për përfshirje në luftën në BeH. Në vendimin e saj të fundit, Gjykata në Hagë dha vlerësimin e saj përfundimtar për përfshirjen e Serbisë në luftën në BeH.