RajoniTop Lajme

‘Drafti për Asociacionin’, tensione mes Ramës dhe Vuçiqit?!

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar gjatë së premtes Serbinë, në kuadër të turit të tij Ballkanik. Atje ka takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku më pas kanë dalë edhe në konferencë për media.

Në fund të saj, ka pasur edhe tensione. Gjithçka nisi kur Rama u shpreh se propozimin e tij për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ia kishte dërguar Gjermanisë e Francës të cilat i quajti “kumbarë të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës”.

Vuçiqi u përgjigj me ton më të ashpër duke i reaguar e duke thënë “në Serbi njerëzit i zgjedhin kumbarët e tyre”, duke shtuar se “vetëm Serbia mund ta propozojë statutin e Asociacionit, sepse kështu është sipas Marrëveshjes së Brukselit”, përcjell albinfo.ch.

Gjatë konferencës Rama u shpreh se është e rëndësishme të punohet për paqen në rajon.

“Kemi fituar shprehi të shkëmbejmë hapur mendime dhe ndonjëherë të mos pajtohemi me të njëjtat, por duhet të punojmë në favor të paqes. Për të bashkëpunuar na duhen momente të tilla. Do ta përsëris atë që thashë, e vetmja rrugë për të ecur nuk është rruga e rritjes së tensioneve por mënyra e dialogut dhe marrëveshjes bazuar në planin franko-gjerman”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Ndërkohë që Vuçiq u shpreh se kanë filluar të ndryshojnë trashëgimin e keqe politike mes shqiptarëve e serbëve, përmes bashkëpunimit me Ramën.

“I urova mirëseardhje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Mendoj se pas një dekade heshtjeje në marrëdhëniet mes Serbisë e Shqipërisë, mes serbëve dhe shqiptarëve, ishim ne të dy ata që filluam ta ndryshonim trashëgiminë e keqe politike dhe mendoj se kemi treguar rezultate konkrete se kombet tona mund të ecin përpara dhe të bashkëpunojnë”, u shpreh ai, përcjell albinfo.ch.

Si ndodhi përplasja?

Pas deklaratës së Ramës se draftstatutin ia ka dërguar Francës dhe Gjermanisë si “kumbarë të marrëveshjes”, pasoi deklarata e Vuçiqit:

“Të vetmit kompetentë për ta paraqitur statut nuk janë kurrfarë kumbarësh, kurrfarë France e Gjermanie, e as kushdo tjetër, por ekipi menaxhues serb, në përputhje me marrëveshjen e parë të Brukselit dhe gjithë ato që janë arritur deri në gusht të 2015-s. Nuk ekziston askush tjetër, në kuadër të rregulloret ligjore që është i obliguar që të paraqes draftstatut dhe që është i obliguar të marrë pjesë në gjithë procesin e hartimit të statutit jashtë ekipit menaxhues serb. Kjo është e gjitha, nuk do të vazhdojmë të flasim sonte…”

Rama iu përgjigj:

“Jo, ata janë kumbarë të planit franko-gjerman, jo të statutit. Kancelari gjerman dhe president francez janë kumbarë të planit franko-gjerman ngase ky është plan që buron nga Franca e Gjermania, nuk e ka nxjerrë Serbia draftin e këtij plani pasi që është fjala për propozimin e draftit të statutit, përsëris, ai ishte vetëm një kontribut që është i drejtuar mbërritjes së një ndikimi pozitiv në këtë proces. Nuk e ka kurrfarë synimi tjetër dhe nuk ka kurrfarë kërkesa nga anash për të pranuar. Por konsideroj që, në rast se palët e interesuara për t’u marrë me të dhe ta lexojnë, atëherë do të gjejnë shumë arsye për ta pranuar, qoftë edhe pjesërisht.

Sërish fjalën e mori Vuçiqi:

Për këtë arsye në Serbi kumbarët i zgjidhni vetë dhe i ftoni në pagëzime apo në dasma. Te ne kumbarë nuk quhen ata që ua imponojnë vendimet e caktuara.

Shikoni nga minuta 26:00