Konjufca-opozitës: Mos e provokoni mazhorancën se këta votojnë që të shkohet në zgjedhje
Opozita nuk po merr pjesë në votimin e asnjë projektligji, në vazhdim e seancës plenare, që po mbahet të hënën. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi në një rast se nuk duhet provokuar mazhorancën pasi “këta votojnë për të shkuar në zgjedhje”.
Konjufca shtoi se zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e caktuar.
“Mos më detyroni… A kjo është arsyeja që keni ardhur 90 a . Mos e provokoni mazhorancën sepse këta votojnë për të shkuar në zgjedhje. Nesër zgjedhjet nuk mund të mbahen. Ato e kanë afatin”, deklaroi Konjufca.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.
Ai i tha Konjufcës që mosvotimi i asnjë nisme është mesazh që kjo legjislaturë ka dështuar.
“Le të vendosin qytetarët se a janë ata që të vazhdoni ju në këtë rrugë sepse kur iu kanë votuar, s’iu kanë votuar për këtë rrugë. Nuk keni as shumicë parlamentare. Me e pas një dakordim politik për të shkuar në zgjedhje të reja”, tha Krasniqi.
Në marrëveshjen mes Kosovës dhe Francës për ndarjen e bursave, 72 deputetë votuan pro. Në votim mori pjesë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por si pasojë e mungesës së kuorumit nuk kaloi.