RajoniTop Lajme

Kurti: Masat e BE-së kundër Kosovës të padrejta

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për masat e Bashkimit Evropian kundër Kosovës, duke i konsideruar si të padrejta. Ai tha se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit. Këto komente kryeministri i bëri të dielën në Davidoc të Shtimes ku e promovoi një park dhe një kënd të lojërave.

Reagimi i kryeministrit erdhi pasi BE vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të situatës në veri.

“Këto nuk janë sanksione, por është e vërtetë që janë masa të përkohshme, por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti, edhe ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist. Ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota, për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka deklaruar kryeministri.

Masat e vendosura nga BE përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre në kuadër të dialogut.