RajoniTop Lajme

Rama në Sarajevë, kërkon lëvizje me karta identiteti për qytetarët e Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kërkoi sot që të mundësohet lëvizja e lirë me karta identiteti e qytetarëve të Republikës së Kosovës në Bosnje-Hercegovinë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krišto në Sarajevë, Rama u shpreh se, “ne dëshirojmë t’i forcojmë marrëdhëniet me Bosnje-Hercegovinën dhe po ashtu e informova kryeministren se jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë”.

“Në Bosnje-Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen shumë mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në ligjin e minoriteteve të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Reklama
Nga ana tjetër , shtoi kryeministri, “nuk është sekret që Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vendet e tjera dhe unë ia thashë dhe kryeministres që ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe në radhë marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti, për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet, sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre që zbresin deri në nivelin e qytetarëve, ndërkohë që politika duhet t’u shërbejë në radhë të parë të gjithë qytetarëve pa dallim”.

“Unë dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje, edhe Bosnje-Hercegovina do ta bëjë këtë gjë”, theksoi Rama.