MaqedoniTop Lajme

Sindikatat bëhen pishman, zhbëhet ujdia për rritje të pagave!

Shpërndaje

Sindikatat ndryshuan mendje nga marrëveshja e arritur të hënën për rritje të pagave në sektorin publik. Edhe pse Marrëveshja e përgjithshme kolektive duhej të nënshkruhej deri në fund të javës, kjo nuk ndodhi. Të martën është caktuar një takim i ri në Këshillin socio-ekonomik nga që disa sindikata kanë parashtruar kërkesa të reja. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, tha se sot kanë marrë kërkesa plotësuese nga sindikalistët, të cilat nuk ishin parashtruar në takimet e mëparshme.

Ndonëse nuk u firmos marrëveshja, për rritje të pagave 10% nga shtatori në të gjithë sektorin publik, autoritetet thonë se është duke u hartuar teksti, grupi i punës është duke i dhënë shënimet finale.

“Takimin e kaluar u pajtuan me Metodologjinë dhe atë që u morëm vesh, por ndërkohë dolën me disa kërkesa të reja. Do ti shqyrtojmë edhe ato kërkesa dhe presim të martën të kemi takim të Këshillit socio-ekonomik, ku do ta shqyrtojmë tekstin përfundimtar dhe do ta nënshkruajmë Marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Cilat janë ato kërkesa? Kanë kërkesa nga degët e tyre sindikale në pjesën e arsimit dhe në pjesën e shëndetësisë”, tha Jovana Trençevska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Marrëveshjen që e bënë të hënën me Qeverinë, e kundërshtuan gjatë gjithë javës nga sindikatat që përfaqësojnë punëtorët në DAP, Dogana, Administratë Gjyqësore, Administratë Publike, Shëndetësi, Arsim dhe të tjerë. Nga kjo e fundit, reagoi kreu i SASHK-ut Jakim Nedellkov duke i replikuar një postimi të Ministres Trençevska, për krekosjet e rritjes së vazhdueshme të pagave në sektorin e arsimit.

“Ministrja Trençevska së paku duhej të thoshte se pagat aktuale të edukatorëve dhe përkëdhelëseve janë dhënë në bruto. Ose nëse janë në neto, të paktën tregoni shumat reale. Ose po të mos ishte e sigurt duhet të pyeste dikë në kopsht se ku ishte, do t’i kishin thënë. Për hir të së vërtetës, mësuesi me arsim të lartë ka pagën 30.697 denarë, me arsim të mesëm 28.317, përkëdhelëset 23.718 denarë neto. Cila është arsyeja e këtij informacioni të rremë të ministres, ne mund të hamendësojmë apo mund të na shpjegojë?!”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit Shkencës dhe Kulturës.

Marrëveshja që u publikua të hënën parashikon që paga e shtatorit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik të rritet për 10% të pagave neto, të ketë “K-15” prej 10 mijë denarëve për të gjithë të punësuarit në sektorin publik kurse, nga viti ardhshëm “K-15” në sektorin publik do të jetë së paku 30% e pagave që marrin. Pika tjetër ishte ajo e metodologjisë e re që do të vihet në zbatim nga muaji mars 2025 që pagat në sektorin publik do të rriten duke marrë për bazë bruto pagën mesatare dhe plus koeficientet. /Alsat.mk