RajoniTop Lajme

Sveçla: Audio-incizimet ishin dorëzuar nga Lista Serbe tek Vuçiqi, nga ai i publikoi një media në Kosovë

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se ishte dora e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq vendi nga i cili audio-incizimet e shefes së Grupit Parlamentar me Simiq gjetën rrugën për t’u publikuar nga një gazetë në Kosovë.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka shkruar se si pasojë e publikimit të tyre vijuan përleshjet në Kuvend e për rrjedhojë, edhe u dëmtua imazhi i vendit.

“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit. Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë. Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë”, ka shkruar ai.

Sveçla rithekson se Vuçiq po humb ndikimin e tij në Kosovë dhe një gjë e tillë vërehet dukshëm nga veprimet e ndërmarrja ndaj Serbisë.

“Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar. Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt”, ka deklaruar ai.

Sveçla ka deklaruar se nxitja e trazirave në Kosovë, mbetet përpjekja e Vuçiqit.