Debatet për vizitën e Kurtit në Maqedoninë e Veriut, reagon Berisha
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas debateve dhe kritikave ndaj vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut.
Në një postim në Facebook, Berisha u shpreh i lënduar ndaj deklaratave të presidentit maqedonas Stevo Pendarovski për emërtimin e një rruge në Çair me emrin Adem Demaçi.
Përmes një shkrimi në Facebook, Pendarovski e cilësoi tubimin në Tetovë si “një ikonografi provokuese nacionaliste me ide shoviniste që ndez urrejtjen etnike”.
Sipas tij në këtë mënyrë “sulmohen parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Maqedonisë si një shtet shumetnik” dhe kërkoi ndëshkimin e organizatorëve të tubimeve në Tetovë dhe në Çair.
Sipas Berishës, reagimi i Pendarovskit është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë.
“Ajo që më lëndoi në këtë histori është reagimi i kryetarit të shtetit të Maqedonisë së Veriut ndaj emërimit të një rruge në Çaire me emrin e Adem Demaçit, Mandelës të Evropës, tribunit të lirisë, laureatit të çmimit ‘Saharov’ të Parlamentit Evropian. Adem Demaçi me qëndresën e tij epike 28 vjeçare në burgjet dhe kampet e Jugosllavisë komuniste, titiste është një tribun i vërtetë lirie jo vetëm për shqiptarët, por dhe për maqedonasit, malazezët, kroatët, serbët, boshnjakët e slloven dhe të gjithë qytetarët liridashës të të gjitha kombeve që përjetuan shtypjen e egër të regjimeve totalitare komuniste”, shkroi Berisha.
“Në këtë kuadër reagimi negativ i presidentit Pendarovski ndaj këtij akti që i bënë nder Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit mendoj se është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë dhe akoma më shumë për çdo shqiptar që e konsideron Adem Demaçin një hero kombëtar, një legjendë të qëndresës për liri dhe Maqedoninë e Veriut një vend mik të bazuar në një shoqëri multietnike në të cilin heronjtë e lirisë, simbolet e ndritura të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pavarësisht nga përkatësia etnike, nuk mund të ngjallin gjë tjetër përveç se respekt dhe admirim”, tha ai.
Berisha akuzoi edhe presidentin serb si albanofob dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrjet e tij që nxisin tensionet në rajon.
“Vuçiqi e quajti vizitën e Kurtit si skandalin e skandaleve duke ndërhyrë kështu për të dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje e të pavarura. Me qëndrimin e tij paternalist ndaj vendit fqinj të pavarur e sovran, ai dëshmon se kërkon të bëjë rolin e xhandarit të rajonit nga pozita ultranacionaliste serbomadhe. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrje të tilla paternaliste të presidentit të serbomadhisë që kanë si qëllim rritjen e tensioneve dhe keqësimin e marrëdhënieve midis fqinjëve në rajon”.
Po kështu ai akuzoi edhe kryeministrin Rama si përçarës në rajon me nismën “Ballkani i Hapur” dhe përplasjet me forcat politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Reagimi i plotë i Berishës, pa ndërhyrje:
Dy fjalë për vizitën e kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut
Fobia ndaj emrit të të pavdekshmit të Adem Demaçit është lënduese jo vetëm për shqiptarët.
Deklarata e albanofobit të pakorrigjueshëm Vuçiq është e dënueshme.
Të dashur miq, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizitoi në fundjavë me ftesë të qeveritarëve vendor, komunat e Tetovës dhe Çairit në Shkup në Maqedoninë e Veriut. Në Tetovë Kurti u zotua solemnisht para qeveritarëve vendor, por edhe mijëra e mijëra qytetarëve për ndërtimin e Tunelit të Sharrit dhe autostradës që lidh Tetovën me Prizrenin, një projekt ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për Tetovën dhe Maqedoninë Perëndimore, mbasi jo vetëm afron shumë dy qytetet Prizren e Tetovë, por dhe shkurton me 2-3 herë distancën Tetovë-Prishtinë dhe Tetovë -Tiranë, uroj që ky projekt të realizohet sa më parë. Kurse në Komunën Çaire në Shkup, Kurti mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga qeveria vendore për emërtimin e një rruge në atë komunë me emrin e Adem Demaçit, gjë për të cilën i përgëzojë autoritetet vendore.
Vizita jo formale në Maqedoninë e Veriut ngjalli edhe disa probleme të panevojshme protokolli dhe simbolesh të cilat për shkak të ndjeshmërive që ekzistojnë në trevat e këtij rajoni duhet shmangur. Por unë nuk dua të futem në polemikën që ka shoqëruar vizitën jo formale të Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut, në komunat e Tetovës dhe Çairit në Shkup as edhe në interpretimet dhe pretendimet e forcave politike shqiptare dhe autoriteteve zyrtare lokale dhe qendrore të vendit.
Por e konsideroj të rëndësishëm për rolin pozitiv të faktorit shqiptar, mbajtjen e raporteve të hapura pavarësisht nga preferencat dhe orientimet partiake me të gjitha forcat politike shqiptare në rajon dhe evitimin e thellimit të një procesi përçarës që Edi Rama, sapo erdhi në pushtet e nisi me forcat politike në Kosovë dhe e vazhdoi më pas edhe në Maqedoninë e Veriut. Përplasjet protokollare të padobishme të kësaj vizite me autoritet zyrtare maqedonase kanë zanafillë rreshtimin antihistorik të Shkupit dhe Tiranës zyrtare në një aleance trelaterale me Beogradin në projektin serborus të Ballkanit të Hapur me të cilin Kurti nuk u pajtua dhe ka meritën e padiskutueshme të kundërshtimit të tij dhe mbështetjes në vend të tij të procesit të Berlinit.
Mendoj se vazhdimi i mbështetjes së Ballkanit të Hapur është vazhdim i përçarjes së mëtejshme që solli projekti serbo-rus i Ballkanit të Hapur dhe duhet konsideruar seriozisht nga autoritet e Maqedonisë së Veriut, mbasi viktimat më kryesore të serbomadhisë në rajon do të ishin shqiptarët dhe maqedonasit.
Mirëpo ajo që më lëndoi në këtë histori është reagimi i kryetarit të shtetit të Maqedonisë së Veriut ndaj emërimit të një rruge në Çaire me emrin e Adem Demaçit, Mandelës të Evropës, tribunit të lirisë, laureatit të Çmimit Saharov të Parlamentit Evropian. Adem Demaçi me qëndresën e tij epike 28 vjeçare në burgjet dhe kampet e Jugosllavisë komuniste, titiste është një tribun i vërtetë lirie jo vetëm për shqiptarët, por dhe për maqedonasit, malazezët, kroatët, serbët, boshnjakët e slloven dhe të gjithë qytetarët liridashës të të gjitha kombeve që përjetuan shtypjen e egër të regjimeve totalitare komuniste.
Në këtë kuadër reagimi negativ i Presidentit Pendarovski ndaj këtij akti që i bënë nder Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit mendoj se është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë dhe akoma më shumë për çdo shqiptar që e konsideron Adem Demaçin një hero kombëtar, një legjendë të qëndresës për liri dhe Maqedoninë e Veriut një vend mik të bazuar në një shoqëri multietnike në të cilin heronjtë e lirisë, simbolet e ndritura të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pavarësisht nga përkatësia etnike, nuk mund të ngjallin gjë tjetër përveç se respekt dhe admirim.
Përveç këtyre, unë dënoj me forcë reagimin e albanofobit të pakorrigjueshëm, serbomadhit Aleksandër Vuçiq ndaj vizitës të Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Serbomadhisë, Vuçiq e quajti vizitën e Kurtit si skandalin e skandaleve duke ndërhyrë kështu për të dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje e të pavarura. Me qëndrimin e tij paternalist ndaj vendit fqinj të pavarur e sovran, ai dëshmon se kërkon të bëjë rolin e xhandarit të rajonit nga pozita ultranacionaliste serbomadhe.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrje të tilla paternaliste të presidentit të serbomadhisë që kanë si qëllim rritjen e tensioneve dhe keqësimin e marrëdhënieve midis fqinjëve në rajon. Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende mike fqinje të lidhura pazgjidhshmërisht me mijëra ura dhe fije. Ato kanë çdo instrument dhe mundësi të zgjidhin çdo keqkuptim apo kundërshti vetë me dialog dhe pa rolin, as dhe ndërhyrjen keqdashëse të Putinit të vogël në Beograd apo argatit të tij në Tiranë.