Grubi: Të punojmë që të sigurojmë së paku 8-10 deputetë të VMRO-së, Mickoskit i pengon fuqia e shqiptarëve në Qeveri
Zëvendëskryeministri Artan Grubi në Euronews tha se pushteti duhet të punojë vazhdimisht me deputetët e VMRO-DPMNE-së, që në rast se nuk sigurohen të gjithë, së paku 8-10 deputetë të kësaj partie të votojnë ndryshimet kushtetuese. Grubi thotë se në VMRO ka forca europiane, që janë në kundërshtim me kryetarin e partisë, Hristijan Mickoski.
“Njihemi si kolegë dhe flasim, vlerësoj që ka forca europiane, ka forca demokratike në VMRO-DPMNE që presin që të çlirohen nga presioni që po i bëhet nga kryesia e partisë dhe kryetari i partisë”, tha Grubi.
Grubi thotë se Mickoskit i pengon fuqia e shqiptarëve në Qeverinë aktuale.
“Nuk mund t’i kujtohet për arsye se nuk ka qenë në bashkëqeverisje, nuk ka qenë në eshalonet më të larta të partisë politike kryetari i tashëm i VMRO-DPMNE-së dhe prandaj ndoshta nuk i kujtohet bashkëpunimi dhe nuk i kujtohet çdo gjë që kemi bërë gjatë këtyre 8 viteve, por e shohim që në shënjestër e ka BDI-në, gjatë gjitha këtyre viteve dhe i pengon fuqia e BDI-së në këtë qeverisje, fuqia e shqiptarëve në këtë qeverisje”, theksoi Grubi.