Hapet konkursi për 600 policë të rinj në Maqedoninë e Veriut, ja çfarë duhet të bëjnë të interesuarit
Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se sot kanë publikuar shpallje publike për lidhjen e marrëdhënies së punës për 600 kandidatë në vendin e punës polic.
“Në Sektorin e Punëve të Brendshme Ohër janë hapur vende për 100 kandidatë, pranimi i 30 kandidatëve është mundësuar në Sektorin e Punëve të Brendshme Tetovë, nga 20 kandidatë është mundësuar në Sektorin e Punëve të Brendshme Strumicë, në Sektorin e Punëve të Brendhsme Kumanovë, në Sektorin e Punëve të Brendshme Shtip, në Departamentin për Mbrojtjen e Personaliteteve dhe Objekteve të Caktuara dhe në Qendrën Rajonale “Veri” dhe në Qendrën Rajonale “Perëndim”. Nga 15 kandidatë kërkohen në Sektorin e Punëve të Brendshme Manastir dhe në Sektorin e Punëve të Brendshme Veles, kurse nga 10 kandidatë në Qendrën rajonale “Lindje” dhe Qendrën Rajonale “Jug”.
Përveç kushteve të përgjithshme të cekura në shpallje, kandidatët duhet të plotësojnë edhe kushtet e veçanta, edhe atë gjatësinë e nevojshme trupore të më së paku 175 cm (meshkujt), 165 (femrat) dhe përgatitje të lartë individuale, kurse në dokumentacionin e nevojshëm si dëshmi për plotësimin e kushteve të nevojshme për vendin e punës janë edhe certifikatë nga libri amë i të lindurve, diplomë për përfundimin katërvjeçar të arsimit të mesëm dhe dy fotografi (3,5 сm х 4,5 сm), si dhe deklaratë të nënshkruar me të cilën vërtetohet se i njëjti nuk është anëtar i partisë politike ose anëtar i organeve ose trupave të partisë politike.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 15 ditë, duke e llogaritur edhe vetë ditën e publikimit. Dokumentacioni i pakompletuar dhe i dërguar me vonesë nuk do të merret parasysh.
Inkurajohen kandidatët të vizitojnë ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme www.mvr.gov.mk, prej nga mund të marrin më shumë informata për funksionet, kompetencat si dhe fushëveprimi i punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.