Kasami: Koha e frikësimit të shqiptarëve dhe arrestimi i tyre ka përfunduar
Komunizmi nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e Taravarin, thuhet në reagimin e kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami pas njoftimit se kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu është gjobitur për kundërvajtje për shkak të vizitë së kryeministrit Albin Kurtit në Shkup.
“Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë.
Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta.
Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur, bashkë me të do të vdes së shpejti edhe ky regjim i juaji komunist e titist.
Ju vazhdoni të jeni vasalët e Beogradit, sepse atje do përfundoni të gjithë, ndërsa ne si opozitë i takojmë këtij populli dhe frikë kemi vetëm nga populli shqiptar”, shkruan Kasami në profilin e tij në Facebook.