Klinaku intervistohet nga Policia pasi shkroi se “më përpara do ta vriste Kurtin sesa të ikte nga Kosova”
Kreu i Organizatave të Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, është intervistuar nga Policia në Prishtinë të hënën pasi mbrëmë ka shkruar në Facebook se e ka takuar një person që i ka thënë se e ka për synim të ikë nga Kosova, derisa ky i fundit i ishte përgjigjur se më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti sesa të ikte nga Kosova. Përveçqë e ka aktivizuar prokurorinë, postimi i tij ka zemëruar deputetin Artan Abrashi, i cili e ka akuzuar PDK-në për kërcënimin. PDK-ja ka thënë se do ta padisë deputetin Abrashi.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është intervistuar nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale lidhur me postimin ku përmendej si ide vrasja e kryeministrit Albin Kurti.
Dy herë radhazi në Facebook të martën Klinaku pohoi se i ka thënë një votuesi të Vetëvendosjes që më përpara do ta vriste kryeministrin sesa të mërgonte nga Kosova.
“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij, saqë tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka, por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As s’e kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk e kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iki nga Kosova. P.S. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”, ka shkruar Klinaku.
Edhe Sami Lushtaku, nënkryetar i Skenderajt, është cituar nga portali Front Online duke thënë se pajtohej me postimin e tij dhe se s’do ta lëshonte kurrë Kosovën.
Këto deklarata kanë nxitur reagime të shumta në Vetëvendosje.
Deputeti i pushtetit, Artan Abrashi, e ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se s’ka hequr dorë nga vrasjet politike si mjet.
“Faton Klinaku ka qenë çdoherë konsistent. Vazhdimisht ka deklaruar dhe deklaron mbështetjen e tij të hapur ndaj PDK-së. Përherë ka vepruar dhe vepron në koordinim të hapur me agjendën politike të PDK-së. OVL në krye me të ishte dhe është instrument politik i PDK-së. Faton Klinaku është ndërgjegjja e kulluar e PDK-së, instinkti i saj pa mbulesën e gjuhës së matur. Pse ndër mijëra fjalë për të ilustruar një mendim ai zgjodhi pikërisht fjalën vrasje? Kjo flet shumë. Është dëshmia e qartë se PDK-ja në regjistrin e saj të metodave ende nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”, ka shkruar Abrashi.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se do ta padisin Abrashin për shpifje.
“PDK-ja tashmë ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit Artan Abrashi, e cila do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë. Me shpifje të tilla do të merret vetëm drejtësia dhe ne presim që të gjithë, pa përjashtim, edhe zyrtarët publikë, të marrin dënimin e merituar. Megjithatë, as një deklaratë e tillë, e pabazuar dhe shpifëse, nuk do të arrijë të mbulojë humnerën në të cilën ka rënë ky pushtet – përmes aferave të vazhdueshme abuzive dhe korruptuese”, tha Gjoshi.
E lidhur me postimin e Klinakut ka reaguar edhe këshilltari i kryeministrit Kurti, Aziz Bici, i cili tha se të gjithë duhet të distancohen nga gjuha e kreut të OVL-së së UÇK-së.
“Kjo gjuhë është e papranueshme për këdo. Veçanërisht e papërgjegjshme, e padinjitetshme dhe jokombëtare, për dikë që flet ose përfaqëson veteranët e luftës. Kryeministri i Republikës është kryeministër i të gjithëve. Është i Republikës për të cilën kemi luftuar. Nuk duhet të pajtohemi për asnjë moment, as si shoqëri e as si veteranë të luftës, që me aq lehtësi të flitet për sulme, kërcënime dhe vrasje të kryeministrit të vendit tonë. Nga gjuha e tillë duhet të distancohen të gjithë”, shkroi Bici.
Avokati i Klinakut, Ramë Dreshaj, ka thënë për KOHËN se postimi i klientit të tij është nxjerrë nga konteksti dhe për këtë i ka fajësuar “disa media dhe disa shikues” që i kanë dhënë “ngjyrim tjetër”.
Ka njoftuar se Klinaku është liruar në procedurë të rregullt.