Kovaçevski: “Çmim i garantuar” edhe për lëngjet, ujin dhe birrën, marzhë më e ulët për frutat dhe perimet, mundësojmë stabilitet të çmimeve për të mbrojtur standardin jetesor
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp foli për vendimet e reja të miratuara në mbledhjen e sotme të Qeverisë, të cilat kanë të bëjnë me uljen e çmimit të produkteve të caktuara në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Me Vendimin e sotëm të Qeverisë, pijet joalkoolike, uji i gazuar dhe uji natyral dhe birra hyjnë në listën me “çmim të garantuar”. Qeveria mori gjithashtu një vendim të ri për uljen e marzheve për fruta dhe perimet, që do të ulë çmimet në mënyrë plotësuese deri në 30%.
Në vazhdim ua përcjellim deklaratën e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi.
“Ashtu siç ju premtuam dhe ju informuam gjatë ditës së kaluar lista e produkteve me “çmim të garantuar” do të zgjerohet.
Sot do të flas për dy vendime të reja të Qeverisë me të cilat çmimet e produkteve të caktuara duhet të ulen nga 10% deri në 30%.
Me vendimin e sotëm të Qeverisë, në listën e “çmimeve të garantuara” hyjnë edhe pijet joalkoolike, uji i gazuar dhe natyral dhe birra.
Miratuam edhe vendim të ri për uljen e marzheve për fruta dhe perimet, me ç’rast çmimet do të ulen deri në 30% për këto produkte.
Masës “çmimi i garantuar”, si kompani me përgjegjësi shoqërore u bashkuan me vetiniciativë prodhuesit e pijeve joalkoolike dhe të ujit dhe kjo është për t’u përshëndetur, sepse vetëm me veprim të përbashkët mund të kontribuojmë të gjithë në stabilitetin ekonomik të vendit dhe, mbi të gjitha, më e rëndësishmja ne mbrojmë qytetarët.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, solli vendime të reja për uljen e çmimeve në tregti me shumicë dhe tregti me pakicë të këtyre produkteve:
birrë e lehtë dhe birrë lager;
pije të gazuara dhe jo të gazuara, me përjashtim të pijeve energjike;
ujë burimi natyror mineral, i gazuar dhe jo i gazuar.
Me këtë vendim, çmimet më të larta të produkteve përcaktohen në nivel çmimesh, (me përjashtim të çmimeve të shitjeve promocionale), të cilat janë zbatuar më 19 shtator 2023, në tregtinë me shumicë, ulen për 10%.
Shitësit për kryerje të veprimtarisë tregti me pakicë janë të detyruar të përcaktojnë çmimet me pakicë për këto produkte dhe t’i shënojnë qartë me mbishkrimin “çmimi i garantuar” në rafte, frigoriferë dhe pajisje ftohëse.
Në mbledhjen e sotme miratuam vendim për përcaktimin e marzhit më të lartë tregtar (fitimit) si kusht i veçantë në tregtimin e frutave të freskëta dhe në tregtimin e perimeve të freskëta.
Marzhi më i lartë tregtar për frutat dhe perimet për të gjitha shoqëritë tregtare dhe tregtarët që marrin pjesë në zinxhirin tregtar në tregtinë me shumicë përcaktohet në vlerë totale deri në 10%, ndërsa në tregtinë me pakicë përcaktohet në masën totale prej 15%. Me këtë presim që çmimi i frutave dhe perimeve të ulet për rreth 30%.
Para nesh janë vendimet për uljen e detyrimeve të importit për perimet e freskëta, orizin, portokallet, limonët, mandarinat, si dhe uljen e tarifave doganore për produktet e qumështit me përmbajtje yndyre mbi 10%. Dhe këto janë vendime që do të miratohen në ditët në vijim, do të shpallen dhe do të vihen në praktikë.
Me Vendimin e mëparshëm të miratuar më 19 shtator, ne kemi ulur për 10% çmimin e frutave dhe perimeve në tregtinë me pakicë, por pas një analize të detajuar nga Ministria e Ekonomisë, është konstatuar se me uljen e marzhit, çmimet e frutave dhe perimet do të ulen më tej deri në 30% dhe prandaj janë miratuar vendimet e sotme.
“Çmimi i garantuar” për të gjitha këto produkte është i vlefshëm deri më 30 nëntor. Vendimi do të publikohet sot në Gazetën Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi nga nesër.
Qeveria ka mundësuar tashmë 50 produkte në 24 kategori nga industria e bukës, qumështit, mishit, të ulen për të paktën 10% krahasuar me çmimin që kishin më 1 gusht. Uljet e çmimeve këtu pritet të jenë nga 10-40% për produkte të caktuara, të cilat tashmë mund t’i shohim në tregjet në tërë vendin.
Jam i bindur se me “çmimin e garantuar” të produkteve si dhe me masat e tjera që po marrim me karakter social, do të arrijmë të stabilizojmë inflacionin deri në fund të vitit. Këtë e ka treguar tashmë rritja e pagave në korrik të këtij viti, kur rritja e inflacionit u tejkalua. Me rritjen e pagave të shtatorit prej 10%, si dhe rritjen lineare të pensioneve sipas metodologjisë që është vendosur në periudhën e kaluar, presim që inflacioni dyshifror të bjerë në 8%, ndërsa ushqimet të arrijnë në 5%.
Apeloj deri te tregtarët dhe tregtarët me shumicë që të respektojnë masat, ndërsa qytetarët si dhe ju mediat të lajmëroni Inspektoratin Shtetëror të Tregut për të gjitha parregullsitë në zbatimin në kohë dhe efikas të masës.
Qeveria dhe periudha e ardhshme do të vazhdojë me dialogun me odat e tregtisë, punëdhënësit, sindikatat, detyrimi ynë është të mbështesim fuqishëm ekonominë dhe të ofrojmë një jetë cilësore për qytetarët. Asnjë krizë nuk do të na lëkund për të vazhduar punën në këtë mënyrë. Vitin e kaluar treguam se e shfrytëzuam krizën më të madhe energjetike dhe ekonomike për të investuar, për të qëndruar fuqishëm pas komunitetit të biznesit dhe për të mbrojtur qytetarët tanë nga rritjet e mëdha të çmimeve. Ne vazhdojmë të avokojmë për përmirësimin e çështjes ekzistenciale të qytetarëve tanë si dhe për një ekonomi më të fuqishme”.