Maqedoni

Mungesa e librave, Ministria e Arsimit mund të paditet

Shpërndaje

Sot ishte dita e dytë e vitit të ri shkollor. Derisa shumica e nxënësve janë pajisur me libra, disa të tjerë mbetën vetëm me fletoret të cilat i kanë blerë vet. Por a janë këtë fëmijë të diskriminuar!? Sipas një analize që ka bërë Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminim është konstatuar se nxënësit e klasës së tretë e kanë nisur vitin shkollorë pa asnjë libër të lëndëve obligative.

“Librat shkollorë në gjuhën maqedonase, gjuhen shqipe, atë turke dhe boshnjake nuk janë gati. Njëherë vijon, pra ashtu siç shkruan MASH, shtypja, përkthimi e më pas distribuimi. Mund të supozojmë se për çfarë periudhë kohore do të ndodhë kjo, por MASH në dokumente thotë se libri është në fazë përfundimtare. Në fazë të njëjtë gjenden edhe librat për lëndët shkencat natyrore dhe shoqëria. Libri në gjuhën serbe as nuk ka miratim nga Komisioni kombëtarë për libra shkollorë”, tha Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

Gjendja e njëjtë është edhe me nxënësit e klasave të gjashta. Ndërkaq nxënësit e klasave të 4, 5 dhe 6 të cilët mësojnë në gjuhën shqipe, turke, serbe dhe boshnjake nuk do të kenë libër të gjuhës maqedonase edhe pse e kanë lëndë obligative.

“Nxënësit e klasës së 6 këtë vit shkollorë nuk do të kenë libra shkollore për asnjë lëndë obligative, pra gjithsej 10 lëndë mësimore obligative për të cilat ende nuk ka as miratim”, shtoi Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

Ligjërisht, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e detyruar që më së voni deri më 31 gusht t’i dorëzojë të gjitha tekstet shkollore nëpër shkolla. Kryetarja e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi Vesna Bendevska tha se do të shqyrtojnë mundësitë për të ngritur padi për diskriminim kundër institucioneve shtetërore.

“Format e tilla të diskriminimit, ligji i njeh si strukturë, si sistematike, diskriminim që e bëjnë institucionet. Në raste të këtilla, Komisioni në përputhje m ligjin ka të drejtë para gjykatës të nisë padi me interes publik kundër institucioneve shtetërore që nuk e kanë larguar diskriminimin. Në seancën e ardhshme që do të mbahet këtë javë si raportuese për këtë lëndë do ta elaborojë para anëtarëve dhe do të sjellim vendim”, pohoi Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

Nga gjithsej 126 libra që janë të nevojshëm për lëndët obligative dhe zgjedhore në shkollën fillore mungojnë 43 libra, gjegjësisht në përqindje Ministria e Arsimit nuk ka siguruar 34% të librave. Vetëm nxënësit e klasave të para dhe të dyta këtë vit do të kenë të gjitha librat në të gjithë lëndët dhe në të gjithë gjuhët në të cilën zhvillohet arsimi në vend.