“Pasuri e Kosovës”, ja nga kush mbikëqyret liqeni i Ujmanit
Liqeni i Ujmanit është njëra ndër pasuritë e Kosovës e cila vazhdimisht u “pretendua” nga Serbia, madje me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2020 nga ish- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është përfshirë edhe ky liqen.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Amerikë, të dy palët janë pajtuar që SHBA-të të kryejnë studim të fizibilitetit për qëllimet e ndarjes së Liqenit të Gazivodës.
Pika e 7-të e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë thotë: “Të dy palët do të bien dakord të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe subjekte të tjera të qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e ndarjes së Liqenit së Gazivodës/Ujmanit, si burim i besueshëm i ujit dhe energjisë.”
Pas tri vjetësh nënshkrim, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, ka thënë se cilësimet dhe vlerësimet që jep raporti nuk janë në përputhje me përdorimin e përbashkët çfarë ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Sipas tij, raporti në tërësi flet për Ujmanin në kontekst të Kosovës dhe të shfrytëzimit të tij për përfitime të Kosovës dhe jo për përdorim të përbashkët.
“Pjesa më e madhe e raportit përmban pikat për veprime teknike inxhinierike në kuadër të sistemit të Ibër Lipencit. Raporti e ka korrigjuar atë që e ka bërë ish-kryeministri ku ka pretenduar që Ujmani mund të shfrytëzohet bashkë me Serbinë. Raporti askund nuk e përmend një pasaktësi të tillë”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se Serbia është thirrur në atë marrëveshje, por jo edhe në atë raport.
“Nëse do të ishte i mirë për Serbinë, padyshim se do ta kishte përdorur Serbia. Ne nuk e kemi përdorur, sepse në vazhdimësi kemi qenë në të drejtën tonë dhe kemi theksuar e insistuar se nuk kemi çfarë flasim për pronën tonë, por është indikative që ju si deputetë opozitarë pa nevojë e sillni këtë temë që nuk i shkon përshtati Kosovës, mbase edhe për shkak se subjekti juaj e ka nënshkruar atë marrëveshje që e hap çështjen e Ujmanit si temë, shfrytëzimin e përbashkët të një aseti të Kosovës, por fatmirësisht kjo ide nuk është marrë seriozisht dhe nuk është shtyrë përpara nga askush”, shtoi Kurti.
Ndërsa, një fotografi e cila dëshmon se ky liqen mbikëqyret nga Kosova, është shpërndarë në rrjete sociale. Në këtë fotografi shihen policët e Kosovës në varkë bashkë me qytetarët e thjeshtë. Fotografia është pëlqyer nga shumë njerëz, madje komentuesit kanë përgëzuar për këtë kryeministrin dhe policinë e Kosovës.