Spitali i Beogradit e konfirmon Radoiçiqin si pacient?
“Indeksonline” raporton se Spitali Ushtarak në Beograd ia ka konfirmuar se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, për të cilin mediumi boshnjak raportoi se është në mesin e terroristëve të plagosur që sulmuan Policinë e Kosovës në veri, po trajtohet atje.
Ky medium ka publikuar edhe një audio-incizim, që thotë se është bisedë e gazetarit me operatorët e spitalit ku kanë dhënë informata se Radojiçiq është i shtrirë në repartin trauma 2.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje ka publikuar disa pamje të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, ku shihet edhe Radojiçiq, i cili është i sanksionuar nga ShBA’të dhe Britania e Madhe.
Sveçla ka thënë se Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka shkruar Sveçla.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.