RajoniTop Lajme

Çka përmban rezoluta e Parlamentit Evropian që dënon sulmin terrorist në Banjskë?

Shpërndaje

Parlamenti Evropian sot e ka votuar rezolutën lidhur me agresionin serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Rezoluta përmban 28 pika në të cilat flitet për zhvillimet e fundit politike dhe procesin e dialogut. PE-ja e dënon në formë të fuqishme këtë agresion.

“U bëhet thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri tani që të dënojnë gjithashtu sulmin. Shprehet keqardhje e thellë për viktimat dhe i shprehet ngushëllime familjes, kolegëve dhe më të dashurve të Afrim Bunjakut. Lavdërohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, EULEX-in dhe KFOR-in në përgjigjen e saj ndaj sulmit”.

Më tej, kërkohet që të punohet të gjitha palët për depërshkallëzim të situatës në veri. U kërkohet shteteve të BE-së që të vendosin masa ndaj Serbisë nëse vërtetohet se qëndron pas agresionit të Serbisë.

“I bëhet ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë apo edhe sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës në maj të vitit 2023, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve. I bëhet thirrje Komisionit, në këtë kontekst, të ngrijë fondet e dhëna Serbisë sipas Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit III, nëse gjetjet e hetimit tregojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme. Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.

Po ashtu, dënohet fuqishëm rritja e numrit të ushtarëve të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën: “Kërkohet nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen. I bëhet thirrje Serbisë që në të ardhmen të përmbahet nga ky model i përsëritur i përshkallëzimit dhe të sillet plotësisht në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës. I bëhet thirrje Serbisë të shtojë përpjekjet e saj për të de-përshkallëzuar tensionet e shkaktuara nga vendosja e ushtrisë së saj”.

Rezoluta e plotë me 27 pika:

  1. Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga paraushtarakët e mirëorganizuar serbë në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator 2023 dhe rezultoi në vrasjen e policit të Kosovës oficerit Afrim Bunjaku dhe plagosja e dy policëve të tjerë kosovarë. U bëhet thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri tani që të dënojnë gjithashtu sulmin. Shprehet keqardhje e thellë për viktimat dhe i shprehet ngushëllime familjes, kolegëve dhe më të dashurve të Afrim Bunjakut. Lavdërohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, EULEX-in dhe KFOR-in në përgjigjen e saj ndaj sulmit.
  2. Kërkohet nga të gjitha palët të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe të shmangin çdo retorikë apo veprim që do të rriste më tej tensionet. Bëhet thirrje që të vërtetohen të gjitha faktet rreth sulmit dhe janë duke u përcjellur nga afër hetimet e vazhdueshme nga autoritetet kosovare. Bëjmë ftesë që BE-ja të mbështesë hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e [misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit] EULEX-it, duke nënvizuar rëndësinë që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë pa vonesa. Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë.
  3.  Theksohet se ky operacion tregon një ngritje të rëndë ushtarake dhe përbën një përshkallëzim të madh, i cili është i paligjshëm dhe bie ndesh me thirrjet e përsëritura të BE-së për një deeskalim në veri të Kosovës. I bëhet thirrje Serbisë që të përmbahet nga çdo përshkallëzim i mëtejshëm që cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të parandalojë çdo kontrabandë të armëve përtej kufirit. Kërkohet, më tej, në këtë drejtim autoritetet kosovare që të punojnë drejt tregtisë së lirë për të gjitha mallrat dhe shërbimet civile;
  4. I bëhet ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë apo edhe sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës në maj të vitit 2023, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve. I bëhet thirrje Komisionit, në këtë kontekst, të ngrijë fondet e dhëna Serbisë sipas Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit III, nëse gjetjet e hetimit tregojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme. Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit.
  5. Dënohet fuqishëm rritja e numrit të ushtarëve të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën. Marr parasysh hapin e rëndësishëm që paraqet tërheqja e pjesshme e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën. Kërkohet nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen. I bëhet thirrje Serbisë që në të ardhmen të përmbahet nga ky model i përsëritur i përshkallëzimit dhe të sillet plotësisht në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës. I bëhet thirrje Serbisë të shtojë përpjekjet e saj për të de-përshkallëzuar tensionet e shkaktuara nga vendosja e ushtrisë së saj. I bëhet thirrje Serbisë, në lidhje me këtë, të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura afër kufirit me Kosovën, duke përfshirë pajisjet si sistemet kundërajrore dhe njësitë e artilerisë së rëndë, të përmbahet nga çdo vendosje joproporcionale ushtarake në zonë në të ardhmen dhe të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste në veri të Kosovës.
  6. Theksohet se një sjellje e tillë ushtarake agresive, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe indikacionet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit politike në veri të Kosovës, tregon se qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme, por koherente në lidhje me Kosovën dhe partnerët e saj perëndimorë.
  7. Dënohen fuqishëm sulmet e dhunshme të majit 2023 kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve. U bëhet thirrje autoriteteve përkatëse të nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët e këtyre sulmeve të mjerueshme.
  8. I bëhet thirrje KFOR-it të krijojë një plan kontrolli në veri të Kosovës, duke përfshirë elementë të fuqishëm që mund të veprojnë si pengues për përshkallëzimin e mëtejshëm. Mirëpritet vendosja e 200 ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë për të përforcuar KFOR-in dhe u kërkohet fuqimisht shteteve anëtare të BE-së që të vendosin trupa shtesë në vend pa vonesa të mëtejshme. Mirëpritet fuqishëm vendimi i NATO-s për të pajisur KFOR-in me armatim më të rëndë për t’i dhënë atij më shumë fuqi luftarake. I kërkohet NATO-s të sigurojë që KFOR-i të ketë aftësitë e duhura për të monitoruar nga afër të gjithë veriun e Kosovës dhe për të kryer mbikëqyrje të vazhdueshme të rajonit për të siguruar që çdo inkursion paraushtarak, sulm ose veprim ose ndonjë tentativë për rrëmbim të oficerëve kosovarë të zbatimit të ligjit mund të zbulohet menjëherë, në një fazë shumë të hershme. I bëhet thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare që të rrisin edhe më tej njësitë e EULEX-it në terren, veçanërisht në veri të Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, të forcojnë përkohësisht rolin e saj si reagues i sigurisë në veri të Kosovës.
  9. Marrë parasysh faktin se Serbia mbajti një ditë zie kombëtare duke nderuar të gjitha viktimat. Shprehet keqardhje e thellë që tre terroristët e vdekur u portretizuan si heronj që luftuan për kauzën e serbëve, gjë që ka rritur shumë tensionet politike në rajon.
  10. Bëhet thirrje për një rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërkufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për krimin e organizuar. Shprehet keqardhje që është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të tilla. Shpreh shqetësimin për situatën sfiduese lidhur me luftën kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës, ku bandat kriminale vazhdojnë të veprojnë, duke ndikuar negativisht në jetën dhe perspektivën e ardhshme të qytetarëve kosovarë në komunat veriore. Të shqetësuar nga provat që lidhin grupet e dhunshme kriminale në veri të Kosovës dhe në Serbi me shtetin serb. Bëhet thirrje për një hetim të plotë për të adresuar këto shqetësime, i bëhet thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të kryejnë vlerësime të rregullta të përbashkëta të sigurisë në veri të Kosovës për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për t’u fokusuar më shumë në rolin e rëndësishëm që luan krimi i organizuar në zhvillimet në atë rajon.
  11. Shprehet keqardhje për faktin që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radoiçiqit për shkak të rrezikut të ikjes së tij, duke pasur parasysh se Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023. Shprehet shqetësim i thellë se të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë mund të mos sillen para drejtësisë.
  12. I bëhet thirrje Serbisë dhe Kosovës që të denoncojnë të gjitha format e dhunës dhe aktet e provokimit, duke kërkuar përmbajtje dhe ndërprerje të menjëhershme të çdo veprimi që mund të përshkallëzojë më tej tensionet. I bëhet thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe në vend të kësaj të punojnë në mënyrë aktive drejt zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dënohet trajtimi i sulmit të rëndë të 24 shtatorit 2023 nga autoritetet serbe, duke përfshirë hezitimin e tyre për të bashkëpunuar në hetim, rolin e tyre në përhapjen e propagandës për sulmin, lavdërimin e autorëve dhe dhënien e mbështetjes politike, qëndrimin e tyre të butë ndaj organizatorët dhe autorëve e sulmit, i cili u shtri edhe në sigurimin e tyre me strehim, retorikën e përdorur nga liderët serbë gjatë kësaj krize dhe përpjekjet e tyre për destabilizimin e Kosovës. Bëhet thirrje për një hetim të duhur të të gjitha sulmeve etnike në mbarë Kosovën, duke përfshirë sulmet në urën e Bistricës dhe në Shtërpcë në prag të Krishtlindjeve ortodokse.
  13. Mbështetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; ritheksohet thirrja ndaj Serbisë dhe Kosovës që të marrin pjesë në dialogun Beograd-Prishtinë në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre pa vonesa të mëtejshme, bazuar në parimin e ndërsjellë. njohjen dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. U bëhet thirrje palëve përkatëse që ta bëjnë dialogun më të orientuar drejt qytetarëve. I bëhet thirrje Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm që të ndajë më shumë burime për dialogun e lehtësuar nga BE.
  14. I bëhet thirrje BE-së që të forcojë rolin e saj si lehtësuese në dialogun Serbi-Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe të propozojë një qasje të re dhe të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve për të kapërcyer ngërçin aktual, duke pasur parasysh pasojat e sulmit të 24 shtatorit 2023 dhe faktin se besimi në proces duhet të rikthehet.
  15.  Kërkojmë, në veçanti, nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë, Miroslav Lajçak që të lehtësojnë dialogun në mënyrë proaktive dhe t’i raportojnë Parlamentit Evropian jo më vonë se fundi i vitit 2023 mbi gjetjet e tyre në lidhje me angazhimin e Serbisë dhe Kosovës dhe realizimin e objektivave të dialogut; nënvizojmë se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për përparimin e të dy vendeve drejt anëtarësimit në BE; kujtojmë se dështimi për të vepruar në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për normalizimin e marrëdhënieve të do të ketë pasoja për anëtarësimin e vendeve në BE; i bëjmë thirrje BE-së të ndërmarrë veprime në kuadrin e asistencës së para-anëtarësimit kundër atyre që nuk respektojnë marrëveshjet.
  16.  I bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin e Ohrit të 18 marsit 2023, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe ta bëjnë këtë me sinqeritet e mirëbesim; shprehim keqardhje që Serbia ka refuzuar të nënshkruaj Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit; I bëjmë thirrje Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Komisionit që të maksimizojnë përpjekjet për të siguruar zbatimin efektiv të këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë kthimin e përfaqësuesve serbë të Kosovës në institucionet e Kosovës; I bëjmë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015; Besojmë se një zgjidhje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse do të rrisë bashkëpunimin, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon; Theksojmë se sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk duhet të shërbejë si justifikim për të larguar vëmendjen nga dialogur për normalizimin e marrëdhëneive; Serbia duhet të bëjë përpjekje për ta rifituar besueshmërinë e saj në dialog, si rezultat i rolit të saj të dëmshëm në ngjarjet e 24 shtatorit 2023.
  17.  Shprehim keqardhje që Serbia e ka rifilluar fushatën e saj të çnjohjeve ndaj Kosovës; I bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për ta izoluar Kosovën nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj; Shprehim keqardhje të thellë për kundërshimin e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila në mënyrë të qartë e shkel Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023; I kërkojmë Serbisë që të përmbahet nga kërcënimet apo përdorimi i forcës, në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare.
  18. Shprehim keqardhje për bojkotimin e institucioneve gjyqësore, të inkurajuar nga partitë politike serbe; Shperhim keqardhje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës më 23 prill 2023 nga partia kryesore politike serbe në Kosovë, Lista Serbe, dhe frikësimin e politikanëve opozitarë serbë; Shprehim keqardhje për këmbënguljen e Qeverisë së Kosovës për të mbajtur kryetarët shqiptar, pavarësisht pjesëmarrjes shumë të ulët në zgjedhje, pasi shkalla e ulët e legjitimitetit të tyre e pengon procesin e pajtimit të integrimit të komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë.
  19. Theksojmë se mbetet thelbësore mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës, për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe inkurajojhmë autoritetet që të sigurojnë pjesëmarrjen e plotë të të gjitha partive politike në zgjedhje të lira, demokratike dhe paqësore; Ritheksojmë se Serbia, gjithashtu duhet të angazhohet publikisht për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje, pasi Lista Serbe, tashmë ka deklaruar pjesëmarrjen e saj të pakushtëzuar.
  20. U bëjmë thirrje serbë të Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve në terren, dhe e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të rrisë ndjeshëm përpjekjet e saj për riintegrimin e tyre, si iniciativa për të përfshirë komunitetin serb në çështjet politike, sociale dhe ekonomike të Kosovës; Ripohojmë se pajtimi dhe përfshirja e komunitetit serb në Kosovë është thelbore për sigurimin e stabilitetit n vend dhe për të ecur përpara në normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd, në kuadër të dialogut të lehëtësuar nga BE-ja; Rithkesojmë thirrjen për autoritetet kosovare që të përmirësojnë dialogun e brendshëm me organizatat e pavarura të shoqërisë civile në komunat veriore me qëllim të ndërtimit të besimit dhe lehtësimit të jetës së përdtishme të serbëve të Kosovës.
  21.  Shprehim keqardhje për masat që Këshilli i Evropës ka marrë kundër Kosovës dhe bëjmë thirrje që ato të hiqen sa më shpejt; i kërkojmë Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës që të rifillojnë kontaktet e tyre të nivelit të lartë me presidentin dhe Qeverinë e Kosovës; i bëjmë thirrje Komisionit të hartojë dhe të paraqesë një udhërrëfyes transparent dhe ambicioz për rrugën e Kosovës drejt ingetrimit deri në fund të vitit;
  22. Mbetet shqetësimi i madh nga influenca destabilizuese në tërë rajonin nga autoritetet serbe të drejtuara na presidenti Aleksandar Vuçiq; Theksojmë mbështetjen e palëkundur për qytetarët e Serbisë në luftën e tyre për një të ardhme evropiane dhe demokratike; Shprehim keqardhjen që disa nga politikat e lidershipit serb pengojnë dëshirën e qytetarëve serbë për një të ardhme evropiane.
  23. I bëjmë thirrje Komisionit Evropian të veprojë si ndërmjetës i ndershëm në procesin e normalizimit dhe të shmangë çdo politikë qetësimi ndaj Serbisë; Shprehim shqetësimin në lidhje me mungesën e kritikave të zëshme nga Komisioni, megjithë mos-angazhimin e Serbisë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, takimet e vazhdueshme dhe të shpeshta të lidershipit të saj të nivelit të lartë me autoritetet ruse, duke përfshirë Rusinë, prapambetjen e saj demokratike dhe mungesën e përparimit në Bashkimin Evropian.
  24.  U bëjmë thirrje autoriteteve serbe, përfaqësuesve të lartë politikë dhe zyrtarëve që të prëmbahen nga përdorimi i gjuhës nënçmuese në lidhje me procesin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, politikat e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e përgjithshëm të BE-së, pasi një sjellje e tillë mund të uluni mbështetjen e publikut për politika e BE-së.
  25. U bëjmë thirrje autoriteteve dhe medieve serbe që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes kundër kosovarëve dhe përhapja e gënjeshtrave për “spastrim etnik” dhe “pogrom” në Kosovë, për të cilat nuk ka prova; I bëjmë thirrje Kuvendit të Serbisë që të ndalojë përdorimin e gjuhës nxitëse;
  26.  Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar 2024.
  27.  Dënojmë përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Serbi dhe Kosovë, duke shfrytëzuar ndarjet kulturore, etnike dhe fetare dhe duke destabilizuar forcat pro-demokratike; Bëjmë thirrje për një sqarim të plotë të rolit të mundshëm të Rusisë në sulmin që ndodhi në Banjskë.