Kurti: Serbia e kuptoi që bandat terroriste s’kanë asnjë shans me policinë tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë që të dorëzojë terroristët që kanë ikur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Në një intervistë për një medium boshnjak, Hyat tv, Kurti ka përsëritur se shteti serb qëndron prapa këtij sulmi, dhe për këtë siç ka thënë ai, veç tjerash, dëshmon edhe fakti që Serbia ka shpallur ditë zie për vdekjen e tre terroristëve.
Ai ka thënë se e diela e 24 shtatorit dëshmoi se organizatat terroriste dhe bandat e tilla kriminale nuk kanë asnjë shans me Policinë e Kosovës.
“Kjo do të thotë se pas tyre qëndron Serbia dhe mbi ta, Beogradi zyrtar ka dhënë urdhrin për të sulmuar Kosovën, por mendoj se tani e kanë kuptuar se organizatat dhe bandat e tilla terroriste nuk kanë asnjë shans me policinë tonë. Mos harroni se këta nuk janë banda kontrabandistësh, as qytetarë të thjeshtë që kanë rrokur armët, janë forca paramilitare profesionale, kush e di ku kanë luftuar më parë, dhe tani kanë ardhur të luftojnë në Kosovë. Por, Kosova është një Republikë paqësore demokratike, një shtet sovran që nuk mund të lejojë sulme të tilla dhe do të duhet të përballen me drejtësinë dhe të dënohen për vrasjen e Afrim Bunjakut, plagosjen e Alban Rashitit dhe shkeljen e ligjit tonë dhe rendit tonë kushtetues dhe publik. Në Serbi ekzistojnë dy organizata, ndoshta kanë anëtarë në pjesën veriore të Kosovës, të quajtura Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, dhe ne i kemi shpallur organizata terroriste në seancën e Qeverisë sonë më 29 qershor të këtij viti… Besojmë se këto dy organizata, të cilat mbështeten nga Beogradi zyrtar, janë drejtpërdrejt përgjegjëse”, ka thënë ai.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se terroristët, të gjithë ata që ishin në Banjskë kishin nënshtetësi serbe.
“Të gjithë ata që ishin në Banjskë kishin nënshtetësi serbe. Ndoshta disa prej tyre kishin lindur në Kosovë, por ata kaluan nga ana tjetër e kufirit kur sulmuan Manastirin e Banjës në Zveçan”, tha Kurti.
Ai tha se presin nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion bi Serbinë në mënyrë që terroristët t’i dorëzojë para autoriteteve të Kosovës.
“Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë… Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për të vuajtur dënimin pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, u shpreh Kurti.
I pyetur nëse Rusia mund të jetë e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit ku mbet i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, Kurti tha se edhe mund të ndodhë. Kjo pasi siç tha ai, një ditë pas sulmit, Vuçiq u takua pikërisht me ambasadorin rus në Beograd.
Ai ka mohuar të ketë marrë ndonjë kërkesë për ekstradimin e terroristëve të arrestuar, duke thënë se askush nuk mund ta kërkojë një gjë të tillë.
“Jo, jo, askush nuk më kërkon ta bëj këtë, as nuk është e mundur d dhe kjo është ajo që ai kërkon prej meje, sepse ai e di paraprakisht çdo rast, se çfarë lloj autoriteti do të kërkonte atë nga unë, e di paraprakisht përgjigjen time. Dhe nuk mendoj se as KFOR-i dhe as EULEX-i janë të përfshirë në ndonjë marrëveshje të tillë, por ata ikën, këta terroristë. Terroristët kanë ikur, shumë prej tyre sepse terreni është shumë kodrinor dhe vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë e gjatë, është më e gjata nga të gjithë fqinjët tanë”, vijoi Kurti.
Në fund, Kurti ka përsëritur se reaguesja e parë në Kosovë ëhstë Policia e Kosovës, pastaj EULEX-i e më pas KFOR-i. Sipas tij, kjo formulë nuk duhet ndryshuar.