RajoniTop Lajme

Merr detyrën komandanti i ri i KFOR-it

Shpërndaje

Turqia edhe zyrtarisht ka marrë komandën e KFOR-it për mandat një vjeçar. Komandanti i ri i KFOR-it Ozkan Utulas ka pasuar italianin Angelo Mikele Ristuçia. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës ai tha se do të përpiqet që të kryejë me përgjegjësi detyrat e tij në një kohë të ndjeshme që gjendet Kosova. Ky është komandanti i parë i KFOR-it që vjen nga Turqia.

“Si komandanti i parë turk i KFOR-it e kuptoj përgjegjësinë që e kam marrë. Duke e parë gjendjen e ndjeshme në Kosovë, po e marr komandën me përkushtim për t’i bërë të gjitha përpjekjet dhe për ta përdorur gjithë përvojën për t’u siguruar se kjo njësi e shquar do të shërbejë suksesshëm në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”.

Ndërrimi i komandës së misionit të NATO-s në Kosovë vjen në një periudhë kur tensionet me Serbinë shënuan rritje, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku nga një sulm terrorist prej një grupi të armatosur e uniformuar serb. Turqia renditet e dyta midis 27 vendeve për sa i përket kontributit me forca ushtarake.