MaqedoniTop Lajme

Në UT u shënua Dita Botërore e Ushqimit

Shpërndaje

Me moton “Uji është jetë, uji është ushqim”, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës e shënoi Ditën Botërore të Ushqimit. Për nder të kësaj dite u organizua edhe një panel diskutimi, në të cilin referuan panelistët: Prof. Dr. Yunus Emre Tuncil, Prof. Dr. Seda Tuncil, Dr. Nazif Jashari dhe Mr. Sc. Arsim Iseni. Ata në diskutimet e tyre kryesisht u fokusuan në rolin dhe rëndësinë që ka uji në shëndetin e njeriut.

Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi tha se shënimi i Ditës Botërore të Ushqimit në Universitetin e Tetovës është shndërruar në një manifestim tradicional dhe se ky është viti i 6-të me radhë që shënohet dhe për çdo vit jemi përkujdesur që të diskutojmë tema të ndryshme, që kryesisht kanë të bëjnë me problemet e të ushqyerit në nivel botëror duke u bazuar në moton e Organizatës Botërore për Bujqësi dhe Ushqim. “Ne si fakultet bashkë edhe me disa institucione të tjera dhe kompani private dëshirojmë që ta sensibilizojmë opinionin publik me problemin e ujit për pije, gjithnjë bazuar në moton e Organizatës Botërore për Bujqësi dhe Ushqim: “Uji është jetë, uji është ushqim”. Nëse e shohim në aspekt të ndërtimit të çdo organizmi, pjesa dërmuese ose 95% e organizmit është ujë dhe pikërisht këtu tema kryesore është uji. Kohëve të fundit, në vend që të pakësohen problemet me ushqimin pas pandemisë globale Covid 19, pastaj lufta Rusi-Ukrainë, e sidomos tani më kjo e fundit Palestinë – Izrael, besoj se do ta thellojnë edhe më shumë krizën e ushqimit në nivel botëror dhe ne duhet të jemi sa më të vëmendshëm, duke shtuar kujdes edhe më të madh”, tha dekani Prof. Dr. Xhezair Idrizi.

Drejtori i Kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemali Dauti, në fjalën e tij u shpreh se, që nga themelimi i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore në vitin 2005 e këndej jemi munduar që fokusin kryesor ta kemi në lidhshmërinë e biznesit me shkencën. “Ndër to është edhe Universiteti i Tetovës, me të cilin kemi bashkëpunim të ngushtë në të gjitha programet studimore që janë kompatibile për bizneset e fushave të ndryshme, sidomos me Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, me të cilin në mënyrë permanente kemi një bashkëpunim, që e lidhim edhe me kompanitë që merren me ushqim. Jemi prezentë çdo vit në këtë aktivitet. Këtë vit, tema e këtij manifestime është lidhur me problemet e ujit dhe kualitetin e të ushqyerit. Ne kemi anëtarët tanë që merren me trajtimin apo ambalazhimin dhe shitjen e ujit, që do të jenë të kyçur drejtpërdrejtë me këtë temë, por edhe të shfrytëzojnë ekspertët, profesorët, studiuesit e fakultetit në veprimtarinë e tyre”, theksoi Xhemali Dauti.

Në panelin kushtuar Ditës Botërore të Ushqimit ndër të tjera u tha se ky manifestim shënohet që nga viti 1981 dhe ka për qëllim sensibilizimin e politikëbërësve mbi rëndësinë e ushqimit, rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e kombeve. Çdo vit, temat të cilat janë përcaktuar kanë qenë të ndryshme, me të vetmen arsye, atë të përmbushjes së objektivave të mijëvjeçarit për zhdukjen e urisë dhe varfërisë, si dhe uljen e vdekshmërisë dhe përmirësimin e shëndetit të fëmijëve.
Zyra për informim