RajoniTop Lajme

Scholz: Presim që Kosova dhe Serbia të zbatojnë rrugën drejt normalizimit

Shpërndaje

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar të premten se bashkë me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni presin që Kosova dhe Serbia të zbatojnë rrugën drejt normalizimit.

Ai tutje është shprehur se po punojnë për një të ardhme me perspektivë paqësore për të dyja palët.

“Sot, unë Macron dhe Meloni shprehëm pritjen që Kosova dhe Serbia të zbatojnë rrugën drejt normalizimit. Përpiqemi për një të ardhme me një perspektivë paqësore për qytetarët dhe fqinjësinë e vendeve të tyre”, ka shkruar Scholz në rrjetin social “X”.

Ndryshe, kancelari Olaf Scholz, presidenti Macron dhe kryeministrja Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në një letër publike nga tre liderët evropianë, të lëshuar të premten pasdite.