Shqipëri–Çeki, ‘DigitAlb’ mbush stadiumin me 20 mijë qeleshe për tifozët (Video)
Shqipëria do të përballet me Çekinë nesër në mbrëmje në “Air Albania”, në duelin e vlefshëm për kualifikueset “EURO 2024”.
E ndërsa organizatorët janë duke kryer përgatitjet e fundit për të garantuar kushte sa më optimale për mbarëvajtjen e ndeshjes, ‘DigitAlb’ ka bërë diçka tejet interesante. Duke e mbushur stadiumin plot me qeleshe, për të gjithë tifozët. Ashtu siç paralajmëroi dhe Jasir Asani, çekët do t’i presë “ferri” në Tiranë.
Teksa janë shitur të gjitha biletat dhe pritet të ketë një atmosferë të ndezur në Air Albania, UEFA ka porositur federatën e futbollit që të mos i lërë asgjë rastësisë përsa i përket organizimit.
Dyert e stadiumit do të hapen që në orën 18:00 pasi do të jetë një fluks i madh tifozësh të cilët do t’i nënshtrohen kontrolleve të rrepta për mjete piroteknike si dhe çdo send të fortë deri tek çakmakët apo monedhat metalike.
Një kontroll i imtësishëm do të bëhet edhe për biletat, për të shmangur falsifikimet. Personat që do të kapen me kuponë false do të procedohen penalisht nga Policia e Shtetit.
UEFA ka kërkuar gjithashtu edhe shmangien e banderolave apo parullave nacionaliste, raciste dhe politike. Në të kundërt do të aktivizohet dënimi me mbylljen e tribunave pas porte.