Arrestohet një person në Zubin-Potok, konfiskohen disa armë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar në Zubin Potok, të hënën e 13 nëntorit. Tek i dyshuari janë konfiskuar disa armë.
Ai thuhet se është ndaluar në afërsi të shtëpisë, pasi, sipas policisë, po paraqiste lëvizje të dyshuara.
“Më urdhër të prokurorit kujdestar është bastisur shtëpia e të dyshuarit D.R., (viti i lindjes 1974) m/k, ku janë gjetur dhe sekuestruar: Një pushkë M-70 me 5 fishek te llojit 30 06 PPU, një pushkë gjuetie e llojit Cifsan me 23 fishekë, dy kartela të shoqatës së gjuetarëve, një radiolidhje e dorës me adapter e llojit Boafeng, një brisk dhe një uniformë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar dhe me udhëzim të tij rasti iniciohet në procedurë të rregullt hetimore.
“Policia e Kosovës do të vazhdoj të mbetet e përkushtuar në luftimin, hetimin dhe identifikimin e kryerësve të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim”, thuhet në njoftim.