Maqedoni

Kasami shpalli thirrjen publike për rregullimin e stadiumit të qytetit

Shpërndaje

Kretari i komunës së Tetovës Bilall Kasami shpalli thirrjen publike për rregullimin e stadiumit të qytetit. Bëhet fjalë për një investim rreth 600 milion denarësh, që përveç stadiumit do të përfshijë edhe rregullimin e një fushe sportive në Qendrën sportive të qytetit dhe një stadium në fshatin Saraqinë. Tenderi do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor ndërsa pas përzgjedhjes së kompanisë, procedura e ndërtimit pritet të zgjas tre vjet. Stadiumi ka kapacitet prej 15.000 ulësesh dhe sipas planit të ri të komunës, ka gjasa edhe të prishet dhe të ndërtohet i ri nga fillimi, por sipas Kasamit, kjo do të varet nga marrëveshja me kompaninë e cila do merr përsipër rregullimin e stadiumit.

Njoftimi në rrjetin social të Komunës së Tetovës është vetëm në gjuhën maqedone:

Njoftimi para mediave në profilin privat të Kasamit:
TETOVA do bëhet me stadium ️ modern ✅
Të nderuara media,

Sot jemi mbledhur këtu për të ndarë me ju informacionin për një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës sportive në qytetin tonë. Një hap drejt zgjidhjes së një problemi, i cili në të kaluarën u premtua shumë herë në fushatat elektorale nga eksponentë politikë, të cilët pastaj nuk kanë pasur kapacitete për ta realizuar, apo nuk kanë dashur pasi nuk kanë mundur që të përfitojnë personalisht.

Komuna e Tetovës përmes Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” ka shpallur tenderin më të rëndësishëm deri më tani për Tetovën e që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve sportive, duke filluar me stadiumin kryesor të qytetit.

Lënda e kontratës së prokurimit publik ka një vlerë të parashikuar prej 600.000.000 denarë pa TVSH, ose rreth 10 milionë euro. Ky projekt është shembulli konkret i përkushtimit tonë ndaj zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe krijimit të ambienteve të përshtatshme për rekreacionin e qytetarëve tanë.

Ky tender do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor 2023. Kohëzgjatja e kontratës është paraparë të jetë në një periudhë prej 36 muajsh. Në fazën e parë të këtij projekti monumental, është paraparë hartimi i projekti ideor për rikonstruimin e stadiumit të qytetit. Projekti ideor do të përgatitet duke respektuar standardet e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve dhe rekomandimet për ndërtimin e objekteve të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese. Po ashtu, janë marrë parasysh dispozitat e rregullores për infrastrukturën e stadiumeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Federata e Futbollit të Maqedonisë.

Përveç stadiumit të qytetit, në shpalljen tonë për kontratë janë të përfshira edhe projekte tjera të rëndësishme, duke përfshirë Qendrën Sportive dhe Rekreative të qytetit, si dhe një terren sportiv në fshatin Saraqinë. Ky projekt reflekton përkushtimin tonë për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke investuar në sport dhe rekreacion.

Andaj, për fund dua të dërgoj një mesazh deri tek oponentët politik, të cilët vazhdimisht po bëjnë presion dhe po shpifin për ne si pushtet lokal. Ne pikë për pikë po e realizojmë programin tonë. Komuna e Tetovës nuk ka asgjë sekret, çdo projekt i yni është transparent dhe mbi tavolinë.

Ne e duam një Tetovë të denjë për të gjithë qytetarët që jetojnë këtu. Ne jemi këtu vetëm për të realizuar projekte dhe për të përmbushur premtimet që u kemi dhënë qytetarëve.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!