Maqedoni

Këshilli Gjyqësor në “shënjestrën” e KE-së, shqetësim serioz për ndikimin nga jashtë

Shpërndaje

Nuk ka progres në përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe në përmirësimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore, ky është vlerësimi i përgjithshëm i Raportit të fundit të Komisionit Europian në fushën e gjyqësorit. Në këtë pjesë, qartë theksohet se sistemi gjyqësor i Maqedonisë është ndërmjet një niveli të caktuar dhe mesatar të përgatitjes, dhe ndërsa fokusi është në situatat që ndodhën në Këshillin Gjyqësor, fillimisht dorëheqja e Pavlinka Cërvenkovskës, e më pas shkarkimi kontrovers i kryetares së këtij organi, Vesna Dameva.

“Në nëntor 2022, Kryetari i Këshillit Gjyqësor dha dorëheqjen në shenjë proteste kundër përpjekjeve të supozuara për ndikim të padrejtë nga gjyqësori dhe komuniteti i biznesit. Presidenti i ri, i cili mori detyrën në dhjetor 2022, u shkarkua në prill 2023 përmes një procedure të diskutueshme, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me respektimin e ligjeve dhe procedurave”, thuhet në Raportin e KE-së.

Rekomandimi në Raport sugjeron se Këshilli Gjyqësor duhet të angazhohet për pavarësinë e gjykatësve.

“Këshilli gjyqësor duhet të angazhohet për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë së gjykatësve dhe institucioneve dhe duhet ata duhet t’i rezistojnë çdo ndikimi të jashtëm. Vonohet miratimi i strategjisë së re për reformat në drejtësi, që duhet të synojë përmirësimin e performancave të institucioneve”, theksohet në Raportin e KE-së.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev, në intervistë për “Slloboden Peçat”, thotë se problemet në gjyqësor janë të shumta, por se besimi në gjyqësor tek qytetarët është përkeqësuar edhe më shumë pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal.

“Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, ku si pasojë u vjetërsuan shumë lëndë penale që ishin para epilogut, gjë që reflekton në mungesën e besimit te gjyqësori, veçanërisht pasi gjyqësori, pa fajin e tij, u bë peng i politikës dhe i mbeti vetëm të konstatojë vjetërsim të lëndëve”, theksoi Sasko Georgiev, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Në raport, KE thekson se ekziston shqetësim serioz për ndikimin e jashtëm të papërshtatshëm në punën e Këshillit Gjyqësor dhe të gjyqësorit, duke treguar se duhet të rritet transparenca në procesin e vendimmarrjes në Këshillin Gjyqësor. Në fushën e pavarësisë dhe paanshmërisë, KE vlerëson se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të veprojnë me vendosmëri për të promovuar dhe mbrojtur pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjykatësve dhe prokurorëve./TV21