Rajoni

Kryeministri Kurti priti në takim zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë

Shpërndaje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati takuan sot zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.

Në një diskutim të gjatë, kryeministri Kurti dhe dy ministrat e kabinetit qeveritar fillimisht i dëgjuan me vëmendje të gjitha kërkesat dhe çështjet e ngritura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa i falënderuan për kontributin e tyre me punë profesionale dhe në shërbim të rendit dhe ligjit.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë.

Qeveria e Republikës së Kosovë është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojë drejtpërdrejt po ashtu në uljen e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive. Ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024 në të cilin parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës.