Lansohet Programi i parë Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave
Në kuadër të aktiviteteve të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, morën pjesë në lansimin e Programit të parë Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave.
Në përpjekje për të trajtuar pasojat e dhunës dhe për të parandaluar përsëritjen e saj, kryeministri Kurti u shpreh se lansimi i këtij programi ofron qasje të gjithanshme dhe nuk do të zbehë rëndësinë e dënimeve për autorët e dhunës, por do të ofrojë një rrugë për ndryshim dhe rikthim në shoqëri me vlera të përbashkëta.
“Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave, synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat, ofrimi i mbështetjes dhe sigurisë se nevojshme për të ecur përpara”, tha ai duke theksuar fuqishëm bindjen se çdo vajzë e grua ka të drejtë të jetojë pa dhunë.
Angazhimi institucional për këtë fenomen sipas kryeministri Kurti, dëshmohet me definimin e dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal, me rregullimin e bazës ligjore për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunim seksual, e me prioritizim të hetimeve dhe gjykimeve për këto raste.
Njëkohësisht, kryeministri tha se kemi rritur financimin e shërbimeve të strehimoreve për mbi 100% për vitin 2023, derisa përmes miratimit të projektligjit për shërbime sociale dhe familjare, filluam reformën për Qendrat për Punë Sociale. Për këto raste pavarësisht gjendjes socio-ekonomike ofrohet ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore.
Për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, Qeveria ka miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Në finalizim është edhe masa për punësim të të mbijetuarat e dhunës në familje. Bashkëpunimin institucional e shoqëror tashmë e lehtëson Udhëzuesi për funksionalizimin e mekanizmave lokal kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe miratimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022-2026).
Eliminimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave është fushë e cila zë vend e ulëse në mbledhje qeveritare. Ndër të tjerash, është emëruar Ministrja e Drejtësisë koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, ashtu siç e kërkon edhe ligji kundër dhunës. Dhuna don edhe trajtim e përkushtim politik, me këtë rasti ai konfirmoi angazhimin e tij të pakushtëzuar në këtë fushë.
“Sot dhe çdo ditë tjetër!” është slogani i fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, i cili përputhet me përkushtimin institucional e shoqëror për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e lansimit të Programit të parë Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave:
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë,
I nderuari, z. Frank Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë,
E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Saranda Bogujevci,
Shkëlqesia juaj, z. Jorn Rohde, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë,
Shkëlqesia juaj, z. Tunç Angılı, Ambasador i Turqisë në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Çdo vajzë e grua ka të drejtë të jetojë pa dhunë. Pa frikë për dhunën. Pa u kërcënuar dhe pa u ndjerë e kërcënuar. Çdo vajzë e grua ka të drejtë të jetojë e lirë. Kjo është bindje e imja e thellë dhe ky është angazhim i imi. Është angazhim i të gjithë neve. Këtë synim e kemi në Kushtetutën tonë, e kemi në ligje, e kemi nëpër akte e nene të ndryshme. Për më tepër e kemi në mendjen dhe në vëmendjen tonë çdo ditë.
Jemi në 16 ditët e fushatës globale të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Ne do të jemi aktiv këto ditë dhe çdo ditë pas këtyre.
Sot na ka bashkuar këtu një përpjekje për të trajtuar pasojat e dhunës, dhe një veprim konkret drejt parandalimit të përsëritjes së saj e ndryshimit të sjelljeve të dëmshme.
Programi i parë Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave do të ofrojë një qasje të gjithanshme, për të ndihmuar në parandalimin e përsëritjes së dhunës si në familje po ashtu dhe në shoqëri. Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave, synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat, ofrimi i mbështetjes dhe sigurisë se nevojshme për të ecur përpara.
Ne nuk mund ta kthejmë kohën mbrapsht për krimet të cilat kanë ndodhur, por mund t’i ofrojmë mbështetje viktimave dhe të parandalojmë krime në të ardhmen.
E për këtë, ne po investojmë, duke siguruar se viktimat e dhunës i kanë burimet e strukturat e nevojshme dhe të duhura për të rindërtuar jetën e tyre.
Është tejet e rëndësishme që një viktime të mos i përfundojë jeta normale pas atij krimi, por të mund të rimëkëmbet e të jetojë dinjitetshëm, e për këtë ato e kanë mbështetjen tonë, siç e kanë edhe nevojën e shtetit.
Kemi rritur financimin e shërbimeve të strehimoreve për mbi 100% për vitin 2023. Ne e kuptojmë rëndësinë e punës së strehimoreve dhe peshën e jetës për atë kohë që gratë dhe fëmijët qëndrojnë aty. Përmes miratimit të projektligjit për shërbime sociale dhe familjare, e filluam reformën për Qendrat për Punë Sociale.
Programi që po e lansojmë sot nuk do ta zbehë rëndësinë e dënimeve për autorët e dhunës, por do të ofrojë një rrugë për ndryshim dhe rikthim në shoqëri me vlera të përbashkëta. Andaj, ne po vazhdojmë të përmirësojmë kornizën ligjore dhe mekanizmat që shërbejnë për mbrojtjen e grave dhe vajzave.
Pra përveçse t’i mbrojmë viktimat, ne dëshirojmë t’i tregojmë që krimi nuk ka qenë e thënë të ngjajë. Krimi nuk është dashur të ndodhë asnjëherë. Dhe këtë ne e bëjmë duke dënuar krimin, por njëkohësisht edhe duke nxjerrë mësimet për parandalimin në të ardhmen të krimeve që nganjëherë duket se edhe ngjajnë si dukuri.
Kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal luftën kundër krimit, dhe e kemi rregulluar bazën ligjore për dënime plotësuese për personat të cilët do të shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunim seksual, dhe prioritizim të hetimeve dhe gjykimeve për këto raste. Të gjitha këto për të treguar vendosmërinë tonë që për krimin nuk ka as tolerancë dhe as arsyetim.
Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike. Numri i atyre që kërkojnë ndihmë juridike dhe që u është siguruar kjo është në rritje. Edhe po kërkohet më shumë ndihmë, por edhe po jepet më shumë ndihmë.
Për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, e kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Ndërkohë që nuk e kthejmë dot kohën mbrapsht, ne mund të bëjmë diçka që sado pak kompenzon e lehtëson në të ardhmen e drejt saj.
Jemi duke e finalizuar masën për punësim për të mbijetuarat e dhunës në familje. Punësimi është qëllimi dhe nganjëherë është edhe nevoja edhe zgjidhja, sepse duke punësuar, ne integrojmë pavarësisht të së kaluarës dhe i bëjmë pjesë të projektit të përbashkët të progresit socio-ekonomik për të ardhmen. Është e rëndësishme që viktimat e dhunës të ndjehen pjesë e shoqërisë në kontributin që japin, në të mirat që marrin dhe në këtë mënyrë të ndjehen të barabarta me të gjithë të tjerët. Viktima nuk duhet që nëpërmjet ndihmës të vuloset si viktimë, por të ndihmohet si viktimë, në mënyrë që të bëhet qenie e dinjitetshme njerëzore, qytetare e Republikës përtej të qenit viktimë.
Të nderuar të pranishëm,
e vlerësoj përkushtimin e të gjithëve juve në luftën tonë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Na duhet angazhim i përbashkët institucional e shoqëror. Këtë tani e lehtëson Udhëzuesi për funksionalizimin e mekanizmave lokal kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Për bashkëpunim më të thelluar, me qasje ndër-sektoriale dhe zinxhir institucional të fuqizuar, e kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.
Për raportim të unifikuar po krijojmë module të reja në bazën e të dhënave nacionale të dhunës në familje.
Eliminimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave është fushë e cila zë vend e ulëse edhe në mbledhjet tona qeveritare, së paku dy herë në muaj. E kam emëruar Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu si Kordinatore nacionale kundër dhunës në familje, ashtu siç e kërkon edhe ligji kundër dhunës. Dhuna kërkon edhe trajtim e përkushtim politik, prandaj edhe vetë si kryeministër e rikonfirmoj angazhimin tim të pakushtëzuar për këtë.
“Sot dhe çdo ditë tjetër!” është slogani. Në përputhje me të, përkushtimi institucional e shoqëror për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, vazhdon çdo ditë. Vazhdon çdo orë të ditës nga të gjithë ne, në mënyrë që kurrë më të mos kemi krime të tilla të shëmtuara e aq të dëmshme për gjithë shoqërinë, por para se gjithash për gratë dhe vajzat që kanë nevojë për solidaritetin tonë të pakursyer e të parezervë.
Ju falemnderit.