MaqedoniTop Lajme

Ministri Krenar Lloga shkarkon nga detyra gjyqtarin Llazar Nanev

Shpërndaje

Ministri i drejtësisë Krenar Lloga sot në një press konferencë ka konfirmuar se materialet e dorëzuara nga Këshillit Gjyqësor, përmbajnë pretendime të rënda për cenim të integritetit të gjyqtarit, ndërsa po ashtu ka a shkarkuar Llazar Nanevin.

Njoftimi i plotë:
Pas pranimit dhe analizës së materialeve për seancën e Këshillit Gjyqësor, konstatova se materialet e dorëzuara përmbajnë pretendime të rënda për cenim të integritetit të gjyqtarit. Njëkohësisht, duhet të theksoj se është evidente ekzistenca e një situate që shqetëson seriozisht dhe vë në pikëpyetje sigurinë juridike të qytetarëve dhe të drejtën e garantuar për t’u gjykuar nga gjyqtar i pavarur dhe i paanshëm.

Siç kam deklaruar shumë herë deri më tash, edhe tani kam qëndrimin e njëjtë se Ministria e Drejtësisë dhe unë si Ministër, nuk do të lejojmë në trupa punues, këshilla dhe komisione që janë në përbërje ose në kompetencë të kësaj ministrie, të anëtarësojnë persona për të cilët ka indikacione serioze për dëmtim të integritetit.

Duke marrë parasysh faktin se kryetari i Gjykatës Themelore Kavadar është anëtar dhe kryetar i deritanishëm i Këshillit të TIK-ut, për shkak të seriozitetit të pretendimeve që tregojnë për keqpërdorime të mundshme, të cilat njëkohësisht mbështeten edhe nga pretendimet me shkrim të dorëzuara në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup dhe në Ministrinë e Drejtësisë, deri në konstatimin e gjendjes së plotë faktike në të cilën është i nevojshëm veprim i urgjent edhe nga ana e Këshillit Gjyqësor, informoj opinionin publik se me Vendim për ndryshimin e Vendimit për formimin e Këshillit të TIK-ut, të cilin e solla sot, gjyqtari dhe kryetari i Gjykatës Themelore Kavadar lirohet nga detyra anëtar i Këshillit të TIK-ut, e rrjedhimisht edhe kryetar i këtij Këshilli. Përfitoj nga rasti që ta falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm.

Gjithashtu, për shkak të mangësive të konstatuara në funksionimin e këtij organi, si dhe mangësive në aktet nënligjore me të cilat rregullohet mënyra e funksionimit të tij, kam iniciuar procedurën për përgatitjen dhe miratimin e Rregullores së re për mënyrën dhe përbërjen e Këshilli e TIK-ut në bazë të të cilës do të përcaktoj edhe përbërjen e re të këtij organi. Procedura për miratimin e Rregullores së re tashmë është në fazën përfundimtare dhe në afat sa më të shkurtë të mundur, Rregullorja do të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Po ashtu dua të informoj opinionin se në Këshillin Gjyqësor kam dorëzuar shkresë me kërkesë për hapjen e procedurës për konstatimin e përgjegjësisë/mospërgjegjësisë së gjyqtarit dhe Kryetarit të Gjykatës Themelore të Kavadarit, Llazar Nanev. Me këtë rast dëshiroj t’ia sqaroj opinionit se në periudhën e kaluar, Këshillit Gjyqësor i janë dorëzuar një sërë shkresash nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe Prokuroria e Lartë Publike Shkup, në lidhje me parashtresat e qytetarëve në lidhje me punën e gjyqtarit i cili është edhe kryetar i Gjykatës Themelore Kavadar.
Edhe përkundër faktit se në materialet e dorëzuara ka pretendime të rënda që tregojnë për dëmtim të integritetit të gjyqtarit, si dhe indikacione për keqpërdorime dhe ndikime të mundshme, mungon veprimi i Këshillit Gjyqësor.

Ministria e Drejtësisë, përkundër të gjitha përpjekjeve të ndërmarra, nuk arriti të mësojë për asnjë masë që Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë për hetimin e gjendjes faktike dhe përcaktimin e përgjegjësisë në bazë të të gjitha pretendimeve të dorëzuara me shkrim dhe indikacione për gjyqtarin dhe Kryetarin e Gjykatës në Kavadar.

Shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’i bëj thirrje Këshillit Gjyqësor, si organ i pavarur dhe autonom, funksioni kryesor i të cilit është sigurimi dhe garantimi i autonomisë dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor që menjëherë të hapë procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë për gjyqtarin dhe Kryetarin e Gjykatës Themelore në Kvadar, si dhe në afatin sa më të shkurtër të mundshëm të veprojë ndaj detyrimit ligjor për publikimin e procesverbalit të seancës së 454-të të Këshillit Gjyqësor, të mbajtur më 13 shtator 2023, për të ndërmarrë veprime konkrete në kuadër të kompetencave ligjore.

Në të njëjtën kohë, kam kërkuar nga Komisioni pranë Ministrisë së Drejtësisë për mbikëqyrje mbi funksionalitetin e AKMIS-it në gjykata që në afat sa më urgjent të mundur të kryhet mbikëqyrje mbi funksionalitetin e AKMIS-it në Gjykatën Themelore të Kavadarit, e e cila, përndryshe, është paraparë në Planin vjetor për mbikëqyrje.